Kryetari i Prishtinës
Padyshim se shanset për balotazh i kanë tre kandidatë, Astrit Salihu, Rexhep Osmani dhe Isa Mustafa. Por ka rëndësi shumë edhe mentaliteti votues, e që kësaj radhe ka shenja të perceptoj emrat e kandidatëve dhe jo vetëm partitë e mëdha.
Duke tentuar të shpalos në veçanti kandidatët për kryetar të Prishtinës është mirë të ofrohet një pasqyrë më e qartë për votuesit përmes elaborimit të mundësive të kandidatëve për të arritur cakun. Kjo analizë përfshin aspektet partiake dhe emrat e përveçëm të tyre sepse ata ende nuk kanë dalë me programe për të parë çka ofrojnë. Duke qenë tepër i kujdesshëm për paanësi, analiza e këtyre kandidatëve duhet parë në një prizëm më të gjerë se si kandidatë të thjeshtë për garë në zgjedhje lokale. Sepse Prishtina është gjysmë qeverie qendrore shpesh.
Astrit Salihu PDK-ja duke kandiduar z.Salihu përfundimisht ka treguar se është tejmase e interesuar për të qeverisur edhe Prishtinën. Mirëpo nuk ka mundur të gjej njeriun komplet për këtë garë mjaft të fortë. Përkundër që vjen nga shoqëria civile profesioni i filozofi dhe afërsia më të rinjtë urban të Prishtinës duke shtuar edhe votat e elektoratit militantë të PDK-së i jep një përparësi të lehtë. Pra Astrit Salihu ka gjasa të jetë në balotazh mirëpo në anën tjetër ka disa pengesa të vogla. Nuk është njeri i bazës së PDK-së, ka një koncept jo shumë të kapshëm për pjesën më të madhe të qytetarëve të Prishtinës si dhe mungesa e deritanishme e pranisë në jetën publike dhe kombëtare të Kosovës dhe Prishtinës.
Rexhep Osmani
Është një figurë aktive në politikën kombëtare dhe institucionale mbi 20 vjet që i jep një përparësi në këtë mes. Duke qenë pjesë e udhëheqjes së sistemit paralel ka një emër të njohur që është i ngulitur në një pjesë të madhe të qytetarëve pavarësisht përkatësisë partiake meqë udhëhoqi pavarësimin e sistemit arsimor. Po ashtu guximi i tij për t’iu kundërvënë Isa Mustafa brenda LDK-së i ka dhënë një emër të një personaliteti këmbëngulës në synimet e tija. Një pengesë e Osmanit në garën për Prishtinën është largimi i rij nga LDK-ja tek partia e Edita Tahirit edhe pse një pjesë e elektoratit të LDK-së do jetë krah tij edhe me faktin se ai ishte i kandiduar nga Dega e IV LDK-së dega më e madhe e Prishtinës. Unë besoj se ky njeri me gjithë disa pengesa do të jetë befasia e Prishtinës. Nëse arrin të hyj në balotazh fitoren e ka të sigurt, pavarësisht a do të jetë më të balotazh Isa apo Astriti.
Isa Mustafa
Natyrisht që është njëri ndër kandidatët më seriozë. LDK-ja do bëj gjithë çka është e mundur që ta ruaj edhe këtë bastion të saj. Nuk e fut në balotazh shumë puna e tij dyvjeçare, përkundrazi mund të jetë pengesë, mirëpo më shumë aspekti partiak. Do të ketë një konkurrencë të pashoqe nga dy fronte serioze. E para nga Astrit Salihu si prishtinas, njeri i ri dhe me kapacitete intelektuale dhe kandidat i PDK-së partisë më të madhe në Kosovë. Dhe konkurrenca e dytë nga Rexhep Osmani i cili përkundër që kandidon me ADK-në e znj.Edita Tahiri ka shumë më tepër merita në LDK-së dhe kundërkandidati i vetëm i tij brenda kësaj partie. Afërsia e tij me Presidentin Sejdiu aq sa i shton vota aq edhe mund ti bëj dëm kur dihet se kandidat i LDK-së më shumë i qarkulloi emri nën tavolina si pjesë e interesave të klaneve të LDK-së sesa si fitues në një debat brenda partiak.
Besnik Tahiri
Pas asnjë dyshim se Besniku është djalë i mirë dhe i aftë për moshën e vetë. Thjeshtë është djalë ‘update’. Mirëpo për të qeverisur kryeqytetin atij i pengojnë dy gjëra kruciale dhe të cilat do të determinojnë rezultatin e tij. Imazhi jo i mirë i qeverisjes së AAK-së partisë së tij dhe mbi të gjitha mosha e re që mendojmë se ende nuk ka asi mentaliteti votues që Prishtinën ta lë në duar të një 35 vjeçari. Mendoj se ky andisim është më shumë ambicie për të kryer punë tjera e jo për të qeverisur Prishtinën.
Vegim Gashi dhe Sadri Ramabaja
Këta dy kandidatë vetëm sa do të përplotësojnë mozaikun e kandidatëve për kryetar të Prishtinës. Përkundër që z.Gashi është kandiduar nga AKR-ja dhe LDD-ja është larg të qenit kandidat serioz sepse jo gjithmonë emri i partisë të shtyn para po nuk e veçove emrin tuaj në një karrierë sado të vogël politike. Ndërsa z.Ramabaja do të kujtohet si një njeri që kishte guximin e tepruar për ti hyrë kësaj gare tepër të pamëshirshme ndaj tij personalisht.
(Autori është magjistër i qeverisjes lokale dhe analist i pavarur)


