Please enter at least 3 characters.

KRU Hidrodrini paralajmëron konsumatorët rreth faturave të papaguara

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” SH.A. ka njoftuar se ka hapur një afat për shlyerjen e borxheve të akumuluara apo riprogramimin e tyre përmes kësteve, si dhe për nënshkrimin e kontratave për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Sipas njoftimit, thirrja vlen për konsumatorët shtëpiakë, komercialë dhe industrialë në zonën e mbulueshmërisë së kompanisë, përkatësisht në komunat Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik. Afati i fundit për pagesë ose riprogramim të borxheve është data 18 shkurt 2026.

Nga KRU Hidrodrini bëhet e ditur se pas këtij afati, kompania do të jetë e detyruar që, në kuadër të obligimeve për arkëtimin e borxheve të akumuluara, të ndërmarrë masa ligjore, të cilat përfshijnë shkyçje individuale të konsumatorëve borxhlinj, dërgim të lëndëve tek përmbaruesi, si dhe forma të tjera ligjore.

Kompania rikujton se gjatë kësaj periudhe, konsumatorëve borxhlinj u ofrohet mundësia e riprogramimit të borxhit në mënyrë lehtësuese, përmes pagesës me këste.

Në fund të njoftimit, KRU Hidrodrini ka falënderuar konsumatorët e rregullt, të cilët vazhdimisht po i përmbushin obligimet financiare ndaj kompanisë për shërbimet e ujësjellësit.

Njoftimi është lëshuar më 3 shkurt 2026 nga Zyra për Media e KRU Hidrodrini në Pejë. /Telegrafi/