Please enter at least 3 characters.

Kriza ka mundësi të zgjidhet

Kriza politike e shkaktuar nga dorëheqja nga detyra e Kryetarit të shtetit, z.Fatmir Sejdiu, e pasuar me tërheqjen e LDK-së nga qeveria e Kosovës duket një akt i pa menduar mirë. Ky vendim i ngutshëm i njerëzve të kreut të LDK-së është akt i drejtpërdrejt dëmtues për partinë e tyre, sepse elektorati kosovarë do ta gjykoj si një akt i mbarsur thellë me interesa grupore. Por jo vetëm kaq, z Fatmir Sejdiu kështu ka dëmtuar edhe perspektiven e tij personale për udhëheqje me LDK-në, sepse largimin e tij nga qeveria e shtetit e ka bërë mu tani kur partia e tij është në garë të brendshme zgjedhore, dhe pikërisht tani qetësia politike dhe institucionale iu ka dashur më së shumti si LDK-së, ashtu edhe institucioneve të Kosovës. Megjithatë, problemet e LDK-së i përkasin vetëm një subjekti politik, ashtu që më me rëndësi është kapërcimi i situatës ku institucionet kryesore të shtetit janë gjysmë-paralizuar.

Duke pasë parasysh faktin se kushtetuta e Kosovës nuk ka parapare metoda veprimi për diçka sikur problemi aktual, atëherë shteti i ri i Kosovës e ka rrugën hapur që të shkaktoj precedentin e parë në politiken kosovare. Sepse pikërisht ashtu siç janë precedentët gjyqësore në drejtësi, ashtu janë edhe precedentët në skenat politike të shteteve demokratike. Këto gjëra njihen me hollësi në Sistemet Politike Evropiane dhe janë pjesë e pandashme e politikës ku demokracitë liberale janë qind-vjeçare, por edhe shumë më të reja në aspektin kohorë. Kështu për shembull në vitin 1981, në Qipro, për 11 muaj e 17 dit, qeveria ka mbetur pakicë pasi disa nga nacionalistet në Parlament, nuk e mbështesnin qeverinë me votat e veta, edhe pse ishte e partisë së tyre. Ata shkaktuan precedentin e parë në këtë shtet duke bërë që qeveria të mbetej në pushtet derisa u caktua data e zgjedhjeve, por u qeveris me dekret presidencial. Vendimet nuk ishin të ndonjë karakteri agresiv, por puna bëhej nga qeveria si gjithmonë duke bërë që në vend të aprovimit në Parlament, ligjet të dekretohen direkt nga Presidenti.

Rasti i tjetër, është aj i Maltës, në vitin 1984, kur qeveria e Partisë Laburiste humbi shumicën, pasi dy deputetë ndërruan parti, por deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pesë muaj më vonë, qeveria mbeti në pushtet duke votuar ligjet me shumicë të thjeshtë. Një rast tjetër është aj i Holandës në vitin 1996 kur dy partnerët e koalicionit braktisën partinë Social Demokrate, por kryeministri emëroi njerëz nga partia e tij në postet ministrore të mbetura zbrazet duke vazhduar punën deri në zgjedhjet që u caktuan nga kurora mbretërore pas pesë muajsh. Kurse një rast gati tërësisht i përafërt me atë të cilin po përballet sot Kosova ndodhi në Luksemburg me 1980. Ishin vetëm 10 ditë kur kryeministri i këtij vendi të vogël por shumë të zhvilluar, ishte kthyer nga varrimi i Titos në Beograd dhe qeveria ra, për shkak se tre deputet të pavarur nuk mbështesnin më politikat pasi që kundërshtonin praninë e kryeministrit të tyre në varrimin e një diktatori. Por megjithatë qeveria vazhdoj punën duke zëvendësuar ato tre vende ministrash me anëtarë të partisë Demokristiane që kishte udhëheqjen e qeverisë deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare që Duka i kishte caktuar pas nëntë muajsh. Ky veprim pastaj është ndjekur edhe dy herë të tjera në Luksemburg dhe një herë në Belgjikë deri tani, duke përdorur pikërisht përvojën e precedentit në fjalë.

Kështu pra mundet të ndodhë edhe në Kosovë tani, pasi që dikush nuk po pranon qeveri teknike, e dikush po këmbëngul në zgjedhje, por vetëm në muajin shkurt. Partia që ka kryeministrin duhet t’i mbush me delegim vendet e lëna zbrazur nga tërheqja e ministrave të LDK-së me anëtarë të PDK-së dhe të vazhdojë të qeverisë vendin deri me 13 shkurt. Gjatë kësaj kohe ndërkaq, qeveria të punojë në mbajtjen e rendit dhe stabilitetit politik, dhe me pajtim të gjithanshëm duke lënë mënjanë kapriçot politike të gjitha partitë parlamentare, të votojnë buxhetin dhe të gjitha ligjet tjera që kërkojnë 61 vota. Kështu Republika e Kosovës shkakton precedentin e parë parlamentarë, i cili mund ti shërbejë shumë për të ardhmen!

(Autori është ligjërues i Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Glasgow-t dhe atë të Newcastle-s, bashkëpunëtor shkencor në Qendrën për Studimet e Evropës Lindore në Glasgoë dhe anëtar korrespondent në Qendrën për Studime Strategjike në Londër)