Koncepti MG që kombinon të kaluarën dhe të ardhmen
Makina konceptuale MG EXE181, ylli i festimeve të 100-vjetorit të MG në Festivalin e Shpejtësisë Goodwood 2024, ka fituar çmimin prestigjioz iF Design Award në kategorinë e Automjetit Konceptual 2025.
Koncepti EXE181 është vepër e Karl Gotham dhe ekipit të tij nga studioja SAIC Design Advanced London, transmeton Telegrafi.
Është një makinë elektrike futuristike e projektuar për të thyer rekorde shpejtësie, e frymëzuar nga legjendarja MG EX181 e viteve të 50-ta, makina e përdorur nga Stirling Moss dhe Phil Hill për të vendosur rekorde botërore shpejtësie në liqenin e tharë Bonneville në Utah, SHBA.
"Ne donim të festonim historinë e jashtëzakonshme të MG si një prodhues inovativ i makinave sportive, por edhe të projektonim një makinë elektrike për rekordet e shpejtësisë së së ardhmes. Edhe pse është një koncept, ne e zhvilluam atë me një qëllim të qartë, me teste të shumta aerodinamike", tha Gotham.
Juria e ekspertëve të iF vlerësoi EXE181 si një "studim të stilit, inovacionit dhe efikasitetit", duke theksuar rolin e tij si ambasador i një epoke të re për markën MG.
I njëjti ekip dizajni në Londër projektoi më parë kabrioletin elektrik MG Cyberster.
SAIC Motor fitoi gjithashtu çmimin iF Design për Rising OS Intelligent Cockpit System Design – një ndërfaqe përdoruesi e përparuar që mund të përfshihet në modelet e prodhimit të automjeteve MG në të ardhmen. /Telegrafi/


