Koha e ingjeve
Tallava imazh iu japin institucioneve femra që vishen e sillen sikur të jenë në farë dasme a kanagjeqi dhe që s’kanë fije respekti për punën që bëjnë
Më ka ardhur për të qeshur dhe qarë njëkohësisht, kur në “Kohën Ditore” e pashë fotografinë e një pjesëtareje të Policisë së Kosovës teksa po e arrestonte një anëtar të “Vetëvendosjes”. Me thonj të ngjyrosur, duart plot unaza e byzylykë, ajo po përpiqej ta zaptonte të riun që e kishte prishur rendin. E pështirë, shumë e pështirë të shihet një ruajtëse rendi, e cila paraqitet në detyrë sikur të shkonte në farë kanagjeqi. Si ingje e vërtetë.
A ka kush që i tregon asaj dhe të tjerave si ajo, që janë pjesë e Policisë së Kosovës, se të jesh pjesëtare policie don të thotë të respektosh standarde, don të thotë të kesh paraqitje dhe sjellje dinjitoze? Apo mbase është e pamundur që të atillat të binden se policia nuk është mexhlis, nuk është vend për ingje dhe hallhallet e byzylykët duhet lënë për të tjera raste.
* * *
Fatkeqësisht, termi ingje iu shkon për merak edhe disa deputeteve kosovare. A i keni parë si duken teksa serbez-serbez ulen në parlament? Të krijohet përshtypja se janë kthyer prej farë dasme. Frizura të rregulluara pa shije - enkas për seancë, grim i tepruar e shumë demode. Disave prej tyre as që iu është dëgjuar zëri ndonjëherë të flasin diçka para popullit. Thjesht, punën e të qenit deputete e marrin si shans “për me dalë n’televizor”, për t’i reklamuar frizurat e “kompletet” që ua ka sjellë dikush dhuratë.
Por, ato nuk kanë faj. Faj kanë partitë politike që i kanë futur në lista zgjedhore në emër të 30 përqindëshit të domosdoshëm të femrave në parlament. Me të tilla ingje parlamenti kthehet në cirk, e ato assesi nuk mund ta përfaqësojnë femrën kosovare. Sepse janë shumë-shumë ingje. Janë në gjendje ta lënë seancën në gjysmë për të shkuar në shtëpi dhe për të parë ndonjë serial latin a turk. Tallava deputete.
* * *
Kategoria e tretë e ingjeve është ajo e atyre që punojnë nëpër shërbime të administratës komunale. A ju ka rastisur të shkoni për të kërkuar një shërbim në komunë dhe t’i gjeni grumbull duke pirë kafe? Mua po. Pesë gra në një zyrë duke bërë muhabet, me filxhanë të rrotulluar përpara. Duke u ankuar për rroga të ulëta, pavarësisht se lënë shumë për të dëshiruar në punën që kryejnë, njohuritë nga kompjuteri dhe sjellja me palë. Edhe për to fajet i kanë partitë politike, sepse varësisht qysh është ndërruar pushteti, janë ndërruar edhe ato. Prej ingjeve në ingje. Tallava administratë.
* * *
Rrëfim në vete janë ingjet e Universitetit të Prishtinës. Jo ligjërueset, por shumë punonjëse në administratë. Për to më e rëndësishmja është të përgatisin kafe në plin dhe ta shijojnë atë duke bërë llaf e duke qitur fall. Pa e kryer këtë “rit”, kot pritni se do t’ju kryejnë punë.
Çfarë imazhi iu japin institucioneve femra të tilla? A e dinë ato se puna publike kërkon përgjegjësi e dinjitet? Apo qytetarët nuk meritojnë më shumë se kaq? Kushdo që arrin të reformojë administratën, të vendos standarde në polici, në universitet, madje edhe në parlament meriton të shpërblehet. Është koha e ingjeve dhe nuk është fort e lehtë të merresh me to.
(Editorial i gazetës “Profil”)


