Kishte zgjedhur të takonte vetëm motrën, por edhe e dashura nuk rezistoi dhe theu rregullat për ta takuar vëllanë e Selin
Një situatë e tensionuar dhe e pazakontë është zhvilluar mbrëmjen e së martës në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania”, ku dy kunatat e shtëpisë, Greta dhe Selin, janë përfshirë në një diskutim që ka tërhequr vëmendjen e publikut.
Shkak për këtë përballje u bë një surprizë e organizuar nga produksioni, e cila në vend që të sillte emocione pozitive, përfundoi duke krijuar konfuzion dhe pakënaqësi.
Vëllai i Selinës, njëherësh edhe partneri sentimental i Gretës, Ono, kishte hyrë për një vizitë të shkurtër në shtëpinë e BBVA-së. Sipas rregullave të vendosura nga produksioni, ai kishte të drejtë të zgjidhte vetëm një nga të dyja për ta takuar, dhe zgjedhja e tij ra mbi motrën, Selin. Ky vendim duket se nuk u prit mirë nga Greta, e cila e përjetoi situatën me emocion dhe zhgënjim.
Në një veprim që theu rregullat e shtëpisë, Greta vendosi të shkojë drejt arenës ku ndodhej Ono dhe e takoi edhe ajo, pavarësisht kufizimeve të qarta.
Ky moment krijoi një situatë të çuditshme dhe të tensionuar, jo vetëm mes dy kunatave, por edhe në shtëpi, ku banorët mbetën të habitur nga zhvillimi i papritur.
Pas kësaj, mes Gretës dhe Selinit shpërtheu një diskutim, ku u ndjenë emocione të forta, keqkuptime dhe ndjesi padrejtësie. Debati nxori në pah edhe raportet delikate familjare brenda lojës, duke treguar se lidhjet jashtë shtëpisë shpesh mund të komplikojnë më tej dinamikat brenda saj. /Telegrafi/


