Please enter at least 3 characters.

Kina po prinë në rolin drejt Armagedonit bërthamor

Raketa balistike ndërkontinentale kineze DF-61, në një paradë ushtarake në Pekin që shënonte 80-vjetorin e fitores ndaj Japonisë (3 shtator 2025)

(Getty Images)

Burimi: The Guardian (titulli: China is leading the charge to nuclear Armageddon – and Starmer barely noticed)
Përkthimi: Telegrafi.com

Kthesa e kujdesshme e Keir Starmerit drejt Fronit të Dragoit ka pasur sukses në Pekin, megjithëse jo në Trumpland. Kjo pjesërisht sepse, ashtu si shumë udhëheqës të tjerë të pasigurte perëndimorë, kryeministri i Britanisë nuk u ndal në tema të sikletshme si shkeljet e të drejtave të njeriut, farsën në lidhje me Jimmy Lain, spiunazhin dhe Tajvanin. Por, në bisedimet me presidentin Xi Jinping, një çështje jetësore u shmang krejtësisht dhe nuk duhej të shmangej: ndërtimi i rrezikshëm, i pashpjegueshëm, sekret dhe i shpejtë i armëve bërthamore nga Kina.

Më shumë sesa kriza klimatike, uria globale, militarizmi prusian i kajzerit Trump dhe kërcënimi gjithnjë e më i përhapur i pandemisë, përhapja e pakontrolluar e armëve të shkatërrimit në masë është kërcënimi më i menjëhershëm dhe ekzistencial për njerëzimin. Javën e kaluar, Ora e Kiametit u përshkallëzua në 85 sekonda deri në mesnatë - më afër Armagedonit se kurrë më parë. "Rreziqet bërthamore dhe rreziqet e tjera globale po përshkallëzohen shpejt dhe në mënyra të papara", paralajmëruan vëzhguesit e orës, nëpërmjet Buletinit të Shkencëtarëve Atomikë.

Diplomacia e çarmatimit bërthamor është në një ngërç global. Konsensusi mbi veprimin kolektiv, në të ardhmen, pritet të shmanget përsëri në konferencën e rishikimit të traktatit të mospërhapjes (NPT) në prill në Nju-Jork. Të enjten, do të skadojë Fillimi i Ri [New Start] -traktati i fundit i mbetur për kontrollin e armëve që kufizon forcat bërthamore strategjike të ShBA-së dhe Rusisë. Ndërkohë, një garë e frikshme ndërkombëtare e armëve bërthamore po zhvillohet pa kontroll, siç detajohet në raportin e vitit 2025 të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).

Pothuajse të gjitha nëntë shtetet që zotërojnë armë bërthamore - ShBA-ja, Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe, India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Izraeli - po ndjekin “programe intensive të modernizimit bërthamor”, raportoi SIPRI, duke përfshirë armë të reja si raketat hipersonike dhe armët taktike me fuqi të ulët, të konsideruara “të përdorshme”. Testimet bërthamore mund të rifillojnë së shpejti. “Nga inventari global prej rreth 12 241 koka bërthamore në janar 2025, rreth 9 614 ishin në depot ushtarake për përdorim të mundshëm”, tha SIPRI. Nga këto, ShBA-ja dhe Rusia zotërojnë rreth 90 përqind.

Me rreth 600 koka bërthamore të vlerësuara, Kina mbetet prapa - por, po e ngushton diferencën me shpejtësi. “Arsenali bërthamor i Kinës po rritet më shpejt se i çdo vendi tjetër, me rreth 100 koka të reja në vit që nga 2023-ta ... Mund të ketë potencialisht po aq raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) sa Rusia ose ShBA-ja deri në fund të dekadës”, vlerësoi SIPRI. Pekini nuk ofron asnjë shpjegim apo arsyetim për këtë rritje dramatike - dhe refuzon bisedimet shumëpalëshe për kontrollin e armëve.

Një dokument zyrtar i bardhë, i publikuar nga Kina në nëntor, përsëriti qëndrimin e saj se vendet me arsenalet më të mëdha bërthamore duhet të ndërmarrin hapin e parë, duke bërë në mënyrë të njëanshme “ulje drastike dhe thelbësore”. Deri atëherë, thuhej në dokument, Kina do të mbajë potencialin e saj bërthamore “në nivelin minimal të kërkuar për sigurinë kombëtare”. Dokumenti, natyrisht, nuk specifikonte se cili është ky nivel.

Është e saktë kritika e Kinës - edhe pse e ngarkuar me hipokrizi - se ShBA-ja dhe të tjerët po shpërfillin angazhimin e tyre në kuadër të NPT-së për të ndjekur çarmatimin. Ajo ka një argument më të fortë kur kundërshton projektin e Donald Trumpit për mburojë raketore shumështresore, të lidhur me Grenlandën - të ashtuquajturën Mburoja e Artë [Golden Dome] - e cila, nëse materializohet ndonjëherë, mund të dëmtojnë keq ekuilibrin e frikës.

Pavarësisht avantazheve të saj aktuale, ShBA-ja është e shqetësuar. Pentagoni paralajmëroi në dhjetor se “ndërtimi historik ushtarak i Kinës e ka bërë territorin amerikan gjithnjë e më të cenueshëm”. Ai theksoi atë që u quajt pozicion bërthamor i gatshëm për sulm, dhe pretendoi se rreth 100 ICBM janë instaluar së fundmi në Veri të Kinës. Po ashtu, u tha se Pekini po teston aftësinë e tij “për të goditur forcat amerikane në Paqësor”, gjë që potencialisht mund të pengojë ndihmën e ardhshme ushtarake të ShBA-së për Tajvanin. “Kina pret të jetë në gjendje të luftojë dhe të fitojë luftën për Tajvanin deri në fund të vitit 2027”, tha Pentagoni.

Çfarë po synon Xi? Shtytja e Kinës drejt zgjerimit të arsenalit bërthamor mund të jetë thjesht çështje statusi. Ndoshta Xi dëshiron të barazohet (ose të tejkalojë) ShBA-në dhe Rusinë. Ndoshta ka vërtet frikë nga një sulm i mundshëm. Ai i tha Starmerit se fuqitë “e pakontrolluara”, duke iu referuar Trumpit, po ndiqnin “ligjin e xhunglës”. Ose, ndoshta, duke menduar për trashëgiminë e tij, Xi beson se shfaqja e forcës bërthamore (ose diçka më e rëndë) mund ta ndihmojë të pushtojë Tajvanin dhe të përmbushë ambicien për ta bërë Kinën superfuqinë kryesore.

Xi ka fituar pushtet pothuajse perandorak pas 13 vjetësh në krye. Por, ai është gjithashtu një politikan i pasigurt, i gabueshëm dhe pa shumë imagjinatë, i ndjeshëm ndaj trendëve dhe presioneve globale. Nga njëra anë, ai e sheh ShBA-në e Trumpit duke përmirësuar armët bërthamore, duke hedhur poshtë marrëveshje kyçe të kontrollit të armëve si traktati i vitit 1987 për raketat me rreze të mesme, dhe duke sulmuar - sipas dëshirës - vende pa armë bërthamore si Irani dhe Venezuela. Nga ana tjetër, ai sheh aleatin dhe diktatorin tjetër, Vladimir Putinin e Rusisë, duke kërcënuar me luftë bërthamore ndaj Perëndimit ndërsa përpiqet të pushtojë Ukrainën në mënyrë të paligjshme. Është e kuptueshme që tundimi për të ndjekur këtë shembull mund të jetë i madh.

Shqetësuese, po ashtu, është ideja se, pavarësisht pamjes së jashtme, Xi mund të mos ketë kontroll të plotë mbi forcat e armatosura të Kinës. Shkarkimi sensacional i javës së kaluar, nga ana e tij, e gjeneralit Zhang Youxia - i dyti pas tij në hierarkinë ushtarake - mbetet një mister. Zhangu, një veteran i rryer, thuhet se akuzohet për mungesë besnikërie ndaj shefit të tij me më pak përvojë lufte - dhe për rrjedhje të sekreteve bërthamore drejt ShBA-së.

A është e mundur që të dy burrat të kenë pasur mosmarrëveshje mbi politikat konfrontuese dhe agresive të Xisë për armët bërthamore dhe Tajvanin? Xi më parë ka pastruar komandantët e forcës raketore, por duket se ende po lufton për t’i vënë gjeneralët në vijë. Në një jehonë të Luftës së Ftohtë, rikthehet pyetja shqetësuese e Dr. Strejnxhlovit: kush e ka gishtin mbi buton?

Çfarëdo që të mendojë presidenti i Kinës, këto janë kohë alarmante për këdo që shqetësohet për një luftë globale termobërthamore - që duhet të jetë shqetësimin i secilit. Bisedimet e Starmerit me Xinë thuhet se përfshinë kërcënimet kineze ndaj sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar. Ku ka kërcënim të madh sesa përhapja e armëve bërthamore? Megjithatë, për sa dihet, ai nuk e ngriti këtë çështje.

Heshtja e Starmerit nuk është befasuese. Nën drejtimin e tij, edhe Mbretëria e Bashkuar po zgjeron forcën e saj goditëse bërthamore, duke blerë aeroplanët luftarakë amerikanë F‑35A të cilët janë të aftë për sulme nukleare. Dhe, thuhet se po lejon ShBA-në të magazinojë bomba bërthamore në bazën e Forcave Mbretërore Ajrore në Lejkënhith - për herë të parë pas 20 vjetësh. Britania nuk është në pozicion të kritikojë. Përkundrazi, mesazhi i saj i pashprehur për Xinë është i qartë: bombat gati! /Telegrafi/

true