Isa Mustafa dhe LDK-ja
Kuvendi i VII i Lidhjes Demokratike të Kosovës tërhoqi vëmendjen e thuajse të gjithë opinionit publik. Prej fillimit të fushatës së brendshme të LDK-së, e deri ditën e diel, procesi zgjedhor brenda kësaj partie ka tërhequr mjaft vëmendje te qytetaret, falë medieve të ndryshme. Kjo lojë e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ishte asgjë tjetër, pos një strategjie e bërë nga vetë Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa, Bujar Bukoshi dhe të tjerë bashkëpunëtor, një strategji e mençur për t’i bërë një publicitet parazgjedhor partisë së tyre, LDK-së.
Fatmir Sejdiu, ish-Kryetar i kësaj partie dhe njëherësh ish-President i Republikës, nuk pati sukses. LDK-ja me Sejdiu filloi të shterrohet, humbi. Fatmir Sejdiu, si ish-President, e tradhtoi popullin e tij, e la, duke e sjellë vendin në krizë politike, pas pak javësh edhe në krizë institucionale, falë vendimeve të tij, si Kryetar partie, vendos për t’i tërhequr ministrat, nëpër ministritë ku partia e tij udhëhiqte. Me vendimet e veta ai e mbyti autoritetin e tij dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Isa Mustafa, nën “hije” e shfrytëzoj këtë potez të ish-Presidentit. Bujar Bukoshi, gojën plot e punë hiç, në fund u dorëzua, nuk u bë kunërkandidat as i Isa Mustafës, e as i Fatmir Sejdiut, besoj një strategji kjo e punuar me kohë.
Isa Mustafa u përkrah nga shumica e anëtarëve të partisë, po ashtu edhe nga një numër simpatizantësh, për t’i dhënë publicitet atij. Edhe ky një skenar, pas të cilit qëndron dikush! Pas këtyre rrjedhave, Isa Mustafa më në fund doli si kundërkandidat i Fatmir Sejdiut. Kuvendi i VII i Lidhjes Demokratike të Kosovë, i mbajtur me 07.11.2010, në Hotel GRAND Prishtina, 359 delegat pjesëmarrës në këtë kuvend, votuan 124 për Fatmir Sejdiun, ndërsa 233 delegat tjerë i dhanë besimin Isa Mustafës për të udhëhequr me Lidhjen Demokratike të Kosovës, si shpresë për ta reformuar dhe forcuar partinë, me synimin për fitore në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Pse u zgjodh Isa Mustafa kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës?
Isa Mustafa, ka qenë i vetmi kundërshtar i koalicionit në mes të PDK-së dhe LDK-së, një koalicion, ku shumë pak ishte menduar se do të ndodhte. Ky koalicion në mes të PDK-së dhe LDK-së, më shumë ka qenë për hir të asaj që të gjithë shqiptarët e Kosovës kanë kontribuar në mënyrën e vetë gjithsecili, për hir të PAVARËSIS së Kosovës. Lirisht mund ta quajmë Koalicioni i Pavarësisë. Të dyja këto rryma ishin që dhanë kontribut, dhe sakrifikuan për këtë ditë, njëra e donte paqen, por tjetra e bëri luftën. Nuk thuhet kotë se, Liria i ka rrënjët në gjak, ishte mënyra e vetme për të arritur deri tek çlirimi i vendit.
Pra, Partia Demokratike e Kosovës në krye me z.Hashim Thaçi, i cili në konfliktin e armatosur, për çlirimin e vendit, nga okupatori serb, i priu Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si udhëheqës politik i saj. Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr asaj kohe nga paqedashësi, i ndjeri ish-Presidenti Dr.Ibrahim Rugova, i cili synonte që në mënyrë paqësore ta bënte Republikën e Kosovës. Por ishte e kotë, mënyra e vetme ishte lufta. Pra Lufta dhe Paqja u bënë bashkë dhe shpallën Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Koalicioni i Pavarësisë, ishte ky.
Mustafa, në asnjë moment nuk ka qenë i pajtuar me politikat qeverisëse, të këtij koalicioni. Ky qëndrim i tij i dha shansin që të marrë postin e kreut të LDK-së. Tani z.Mustafa është i vetmi që mundet ndoshta ta sfidojë z.Hashim Thaci, për çdo pikë diskutimi që bëhet. U zgjodh që të udhëheq me LDK-në për të vetmen arsye, avancimi i politikave brenda partisë, me synimin që këto politika, të jenë politika që i shërbejnë interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por sa do të ketë fuqi që z.Mustafa ta bëjë këtë, mbetet të shihet gjatë mandatit të tij në krye të partisë. Shpresoj se z.Mustafa, do ta zbatojë në praktik çdo fjalë dhe premtim të dhënë, duke pas ndërmend se ndryshe është të thuash, e ndryshe të veprosh, është dallim i madh ky.
Një proverb i huaj thotë: Në qoftë se ke dëshirë ta testosh dhe ta njohësh njeriun në praktikë dhe në karakter, të lutem jepi pushtet! Pushteti është mundësia e vetme, ku secili intelektual e përdor si instrument përmes të cilit arrin të qes në pah aftësitë e tij intelektuale dhe çfarëdo qofshin ato. Shumë lehtë është të flasësh lartë nga pozita, por dhe shumë vështir të veprosh në pozitë. Tani z.Mustafa e ka mundësinë ta tregojë veten dhe të veprojë, me shpresën mos të vijë deri te ndonjë zhgënjim edhe më i madh për LDK-në dhe elektoratin e saj. Qeverisja me Prishtinën, është shumë ndryshe në krahasim me qeverisjen e Republikës së Kosovës, ashtu siç pretendon. Mbetet të shihet, koha është faktori që tregon rezultatin e secilit pretendues.


