Please enter at least 3 characters.

Igball Jashari ndez afatin kalimtar: Tri klube nga Kosova dhe një nga Shqipëria në 'luftë' për talentin e Drenicës

Sulmuesi i krahut i FC Drenicës dhe i Kombëtares së Kosovës U21, Igball Jashari, pas paraqitjeve brilante këtë sezon, ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve.

Me 5 gola dhe 4 asistime, 20-vjeçari ka qenë një nga pikat më të ndritura të Drenicës këtë edicion. Ai gjithashtu ka zhvilluar paraqitje shumë të mira edhe me Kosovën U21.

Kampionia aktuale, Drita, nuk e ka fshehur interesimin për ta transferuar Jasharin dhe kontaktet mes palëve tashmë kanë nisur.

Megjithatë, edhe Ballkani e Gjilani janë futur fuqishëm në garë për shërbimet e talentit drenicas, të cilin e shohin si një lojtar me të ardhme të madhe, mëson Telegrafi.

Dy klubet tashmë ia kanë paraqitur kushtet e tyre anësorit këmbëshpejtë nga Prekazi.

Një tjetër mundësi për Jasharin mbetet edhe kampionati shqiptar, ku Elbasani, skuadër që po lufton për titull kampioni, e ka futur në radar për përforcimet e verës.

Lojtari pritet të presë edhe dy xhirot e fundit për ta ndihmuar Drenicën drejt objektivit të mbijetesës, përpara se të marrë vendimin final për të ardhmen e tij. /Telegrafi/