Haskuka shkarkon drejtorin e Arsimit në Prizren
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka shkarkuar drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, Gani Gërmizaj.
Haskuka në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se vendimi për shkarkimin e tij është marrë për shkak të parregullsive në themelimin e komisioneve për konkurse të hapura pranë kësaj drejtorie.
Ai thotë se nga drejtori ka kërkuar që t’i respektojë rregullat që burojnë nga ligjet, në mënyrë që të ketë një proces të drejtë dhe të ligjshëm në përzgjedhjen e mësimdhënësve.
Postimi i tij i plotë:Njoftim për qytetarë dhe mediaDje para përfundimit të orarit të punës, kam marrë vendim për shkarkimin e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit z. Gani Gërmizaj, për shkak të parregullsive në themelimin e komisioneve për konkurse të hapura pranë kësaj drejtorie.Komisionet intervistuese, të themeluara me vendim të drejtorit, nuk kanë qenë në përputhje me ligjin për shkak se, sipas ligjit mbi arsimin parauniversitar dhe udhëzimin administrativ, ndër të tjera në komisionet përzgjedhëse një nga anëtarët duhet të jetë drejtori i shkollës përkatëse. Ky është interpretimi ligjor nga Drejtoria e Inspektoratit të Arsimit dhe Departamenti Ligjor pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nga të cilët kam kërkuar interpretim ligjor, si pasojë e shumë ankesave që kam pranuar lidhur me konkurset e fundit.


