Please enter at least 3 characters.

Fillimi i heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, Hamza: Lajm i mirë, vendim i drejtë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se fillimi i heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës është një lajm i mirë dhe një vendim i drejtë.

Hamza në një postim në Facebook shkruan se qytetarët tanë nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie.

“I falënderoj partnerët evropianë për mbajtjen e premtimit. Tani duhet të hapet një kapitull i ri me BE-në, i bazuar në reforma, integrim evropian dhe zhvillim ekonomik. Bashkë me aleatët, Kosova do të ecë përpara!”, shkruan Hamza.

Ndryshe, mbrëmë presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar nga Brukseli se në përfundim të Samitit BE–Ballkani Perëndimor është marrë vendimi që të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës të hiqen.

Ajo bëri të ditur se një pjesë e masave hiqen menjëherë, ndërsa pjesa tjetër do të hiqet në fund të janarit.

Lidhur me këtë ka shkruar edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian ka nisur procesin e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës, ndërsa 205 milionë euro ndihmë financiare pritet të lëshohen në fillim të vitit të ardhshëm.

“Jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare dhe kemi ndërmend të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, ka shkruar Von der Leyen në platformën X. /Telegrafi/