Guvernatori Ismaili në konferencën ndërkombëtare të 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë si folës në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Banka e Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të saj, me temën “Një shekull banking qendror: Nga themelimi institucional te roli si ankorë rajonale”.
Në këtë ngjarje të nivelit të lartë, e cila mblodhi guvernatorë bankash qendrore, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe ekspertë të njohur të fushës, u diskutuan zhvillimet në ekonominë globale, politikat monetare dhe ndikimi i transformimeve digjitale në sistemet financiare.
Guvernatori Ismaili mori pjesë në panelin “Monedhat digjitale të qëndrueshme, pavarësia dhe e ardhmja e parasë”, ku foli për përvojën e Kosovës në digjitalizimin e infrastrukturës së pagesave, përfshirjen financiare dhe reformat e ndërmarra nga BQK për të forcuar stabilitetin financiar dhe sigurinë kibernetike.
Ai theksoi se Kosova ka potencial të madh për zhvillimin e shërbimeve financiare digjitale falë popullsisë së re dhe shtrirjes së gjerë të internetit, duke nënvizuar rëndësinë e balancimit të inovacionit me stabilitetin dhe edukimin financiar të qytetarëve.
Në fjalën e tij, Ismaili foli edhe për qasjen e kujdesshme të BQK-së ndaj kriptoaseteve dhe përgatitjet për monedhën digjitale të bankës qendrore (CBDC), duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe ndjekjen e zhvillimeve të Bankës Qendrore Evropiane për Euron Digjitale.
“Transformimi digjital duhet të përkthehet në përfshirje më të gjerë dhe mirëqenie ekonomike për të gjithë qytetarët, por gjithmonë duke ruajtur stabilitetin, sovranitetin monetar dhe integritetin e sistemit financiar,” theksoi Guvernatori Ismaili.
Konferenca u hap me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe Kryeministrit të Shqipërisë, ndërsa pjesë e saj ishin edhe mesazhet video nga Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane dhe Drejtorja Menaxhuese e FMN-së.


