Guler ra në sy për pajisjen që mbante në krah gjatë ndeshjes me Monacon - mësohet se për çka funksionon
Gjatë ndeshjes mes Real Madridit dhe Monacos, përveç fitores bindëse të madrilenëve, vëmendje të madhe tërhoqi edhe një detaj tjetër: një pajisje e vogël dhe e rrumbullakët e vendosur në krahun e Arda Gülerit.
Bëhet fjalë për një glukometër, një pajisje që përdoret për monitorimin e nivelit të glukozës në gjak. Edhe pse zakonisht lidhet me menaxhimin e diabetit, nuk ka asnjë informacion që tregon se mesfushori turk vuan nga kjo gjendje.
Përkundrazi, pajisja po përdoret gjithnjë e më shpesh nga sportistë elitarë për optimizimin e performancës atletike.
Dietologu-nutricionisti Guillermo Gómez, nga Klinika Cemtro në Madrid, ka shpjeguar për “CuídatePlus” se glukometri “ndihmon për të kuptuar se si reagon glukoza ndaj stërvitjes, pushimit dhe ushqimit”.
Ai jep një shembull konkret: “Disa atletë ndjekin dieta me pak karbohidrate, por sporti i tyre kërkon intensitet maksimal. Monitorimi i glukozës i ndihmon të kuptojnë se kur është momenti i duhur për të konsumuar karbohidrate”.
Glukometri dhe performanca atletike
Sipas Gomez, përdorimi i glukometrit nuk bën mrekulli, por ndihmon në menaxhimin më të mirë të ushqyerjes, veçanërisht në sporte si futbolli, ku ka ndryshime të shpeshta ritmi dhe intensiteti.
Ndër informacionet që kjo pajisje mund të ofrojë janë:
- momenti kur trupi fillon të mbetet pa energji;
- rëniet e papritura të glukozës që ndikojnë në performancë;
- ndikimi i faktorëve si nxehtësia, intensiteti i ushtrimeve dhe hidratimi.
“Kjo lejon një përshtatje më të saktë të asaj që duhet ngrënë, sa dhe kur, duke e bërë ushqyerjen shumë më të personalizuar”, thekson specialisti.
Në përfundim, edhe pse nuk ka prova të forta shkencore që vërtetojnë se glukometrat përmirësojnë drejtpërdrejt performancën, ekzistojnë përvoja pozitive te atletët e elitës. Megjithatë, baza mbetet e pandryshuar: stërvitje e mirë, ushqim i balancuar dhe pushim i mjaftueshëm.
“Glukometrat mund të jenë një mjet shtesë, por nuk janë thelbësorë për atletët që nuk kanë probleme shëndetësore”, përfundon Gómez. /Telegrafi/


