Please enter at least 3 characters.

Guatemala shpall gjendje të jashtëzakonshme pas sulmeve të bandave të armatosura që vranë të paktën pesë persona

Presidenti i Guatemalës, Bernardo Arévalo, tha të dielën se kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme në dy komuna në Guatemalën perëndimore, një ditë pasi persona të armatosur sulmuan një punkt ushtarak dhe një stacion policie, bllokuan rrugët dhe rrëmbyen autobusë, duke vrarë të paktën pesë persona.

Bandat kriminale po përpiqen t'i detyrojnë forcat e sigurisë të tërhiqen për të marrë kontrollin e rajonit, tha Arévalo. Ai theksoi se qeveria e tij do të forcojë sigurinë, transmeton Telegrafi.

Kjo gjendje e jashtëzakonshme, e para e shpallur nga qeveria e tij, do të zgjasë 15 ditë në komunat Nahuala dhe Santa Catarina Ixtahuacan në departamentin e Sololës.

"Jemi në një moment kritik për departamentin e Sololës dhe sigurinë e vendit", tha Arévalo, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm, Marco Villeda dhe José Giovanni Martínez Milán, Ministri në detyrë i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Arévalo tregoi video dhe foto nga ngjarjet e së shtunës, në të cilat burra të armatosur - disa të veshur me uniforma kamuflazh ose ushtarake, me helmeta dhe jelekë antiplumb dhe që mbanin armë të kalibrit të lartë - mund të shihen duke qëlluar ose duke u strehuar vetëm pak metra larg një rruge kryesore të ngarkuar.

Grupet kriminale janë të lidhura me zhvatjen dhe trafikun e drogës dhe përbëjnë një kërcënim për komunitetet lokale, tha Arévalo.

Ministri i Brendshëm, Marco Villeda tha se pesë persona kishin vdekur. Të shtunën, drejtori i policisë, David Botero, tha se gjashtë persona kishin vdekur, përfshirë një ushtar.

Incidentet besohet se kanë filluar të enjten e kaluar kur burra të armatosur sulmuan punktin ushtarak, duke lënë katër persona të plagosur në atë kohë.

Dy komunat kanë pasur mosmarrëveshje për disa dekada mbi burimet e ujit dhe rrugët lokale që të dyja i pretendojnë si të tyret. Këto mosmarrëveshje kanë çuar në dhjetëra vdekje. /Telegrafi/