Gjithçka që dimë deri tani për tragjedinë në Zvicër
Një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu gjatë natës së Vitit të Ri në barin Le Constellation, duke marrë jetën e të paktën 40 personave dhe duke plagosur mbi 115 të tjerë.
Ngjarja ka tronditur kantonin Valais dhe komunitetin ndërkombëtar që frekuenton këtë resort të njohur për ski dhe golf, raporton skynews.
Komandanti i policisë së kantonit Valais, Frederic Gisler, konfirmoi numrin e të vdekurve dhe tha se identifikimi i viktimave mund të marrë disa ditë.
Mes të vdekurve dhe të plagosurve janë dy shtetas francezë dhe një duzinë italianë, ndërsa 15 italianë të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Shumë të rinj ishin në bar kur shpërtheu zjarri, sipas Stephane Ganzer, kreut të sigurisë në kanton, transmeton Telegrafi.
Spitali rajonal u mbingarkua nga të plagosurit, duke tejkaluar kapacitetet e njësisë së kujdesit intensiv dhe sallës së operacionit, sipas Mathias Reynard, kreut të qeverisë rajonale.
Shkaku i zjarrit nuk është konfirmuar zyrtarisht, por kanë dalë dy teori: Ambasadori italian në Zvicër tha se dikush hapi një fishekzjarr brenda lokalit, duke ndezur tavanin, ndërsa dy dëshmitarë raportuan se një barman ngriti një tjetër mbi shpatulla, i cili mbante një qiri në një shishe. Zjarri shkaktoi shpërthime, ndoshta për shkak të gazrave djegës që u ndezën në mënyrë të dhunshme, sipas autoriteteve.
Një turmë njerëzish u përpoq me panik të shpëtonte nga bodrumi përmes një shkalle të ngushtë dhe një dere të vogël, ndërsa të tjerët thyen dritaret për t’u shpëtuar, tha Reynard.
Prokurorja e kantonit Valais, Beatrice Pilloud, përjashtoi çdo skenar sulmi terrorist. Nuk ka të dyshuar dhe askush nuk është arrestuar, tha Ganzer, duke e cilësuar ngjarjen si një “aksident”.
Për të menaxhuar situatën emergjente, u mobilizuan 13 helikopterë, 42 ambulanca, 150 paramedikë dhe 70 zjarrfikës.
Autoritetet vazhdojnë hetimet për të sqaruar shkaqet e sakta të kësaj tragjedie që ka lënë gjurmë të thella në komunitetin lokal dhe ndërkombëtar.
Ndryshe, flamujt zviceran do të qëndrojnë në gjysmështizë për pesë ditë në nderim të viktimave. /Telegrafi/


