Gjeopolitika sipas shqiptarit
Brenton Kotorri
Brenton Kotorri
Në mjedisin tonë publik, ku fjala shpesh humbet peshën e saj nën breshërinë e opinioneve të pafiltruara, gjeopolitika është shndërruar në një lloj “toke të askujt”, ku secili mund të ngulë flamurin e tij të kompetencës pa pasur nevojë për pasaportë intelektuale. Vërehet një dukuri shqetësuese: transformimi i analizës strategjike në një bisedë rëndomtë kafeneje, ku fatet e kombeve trajtohen me të njëjtën lehtësi si rezultatet e ndeshjeve të futbollit. Ky fenomen nuk është thjesht një shenjë e pasionit për ngjarjet globale, por një simptomë e një krize më të thellë të mendimit kritik dhe rreptësisë metodologjike. Shqiptari i sotëm, i gjendur në udhëkryqin e informacioneve fragmentare, shpesh zgjedh ose rrugën e analizës sipërfaqësore e cila nuk i shërben asnjë kauze përveçse dëshirës për të mbizotëruar në debatin e radhës në klubin e lagjes ose duke u kredhur në strehën e errët të konspiracionit, që në thelb nuk është gjë tjetër veçse një shprehje e pafuqisë intelektuale për të rrokur kompleksitetin e realitetit.
Për të kuptuar pse diskursi shqiptar mbi gjeopolitikën është i mangët, duhet së pari të definojmë se çfarë përfaqëson gjeopolitika si një disiplinë e mirëfilltë studimi. Ajo nuk është një koleksion thashethemesh mbi preferencat e liderëve botërorë, por një shkencë që studion ndërveprimin kompleks midis hapësirës gjeografike dhe proceseve politike. Gjeopolitika operon mbi premisën se gjeografia është një faktor konstant që dikton, kufizon dhe mundëson veprimet e shteteve në arenën ndërkombëtare. Ajo është studimi i fuqisë në raport me hapësirën, duke përfshirë këtu elementet fizike si topografia, klima, dhe burimet natyrore, por edhe elementet njerëzore si demografia dhe organizimi politik.
Gjeopolitika lindi në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të si një përpjekje për të racionalizuar strategjitë e fuqive të mëdha në një botë që po bëhej gjithnjë e më e vogël për shkak të zhvillimeve teknologjike. Ajo e sheh botën si një sistem të mbyllur, ku çdo ndryshim në ekuilibrin e fuqisë në një rajon ka pasoja të pashmangshme në të gjithë sistemin. Kjo disiplinë nuk merret me “atë që duhet të jetë”, por me “atë që është”, duke u mbështetur në një realizëm të ftohtë që shpesh injoron emocionet apo preferencat ideologjike.
Studimi disiplinor i gjeopolitikës na ndihmon të lexojmë marrëdhëniet ndërkombëtare jo si një varg ngjarjeve rastësore, por si një shah strategjik ku lëvizjet janë shpesh të paracaktuara nga nevojat gjeografike. Pa një kuadër teorik, ngjarjet globale duken si një kaos i pakuptueshëm, i cili nxit kërkimin për shpjegime të thjeshtëzuara ose konspirative. Analiza shkencore na lejon të kuptojmë “pse-në” pas veprimeve të shteteve, duke i parë ato si aktorë racionalë që kërkojnë të maksimizojnë sigurinë dhe mbijetesën e tyre në një mjedis anarkik.
Disiplina gjeopolitike na pajis me mjetet për të identifikuar tendencat afatgjata, duke i ndarë ato nga zhurma e lajmeve të përditshme. Ajo na mëson se ndryshimet në teknologji. si kalimi nga qymyri tek nafta, apo nga hekurudha te fluturimet hapësinore, rikonfigurojnë vlerën e hapësirave gjeografike, por nuk e eliminojnë rëndësinë e tyre. Ky lexim i disiplinuar është e vetmja rrugë për të evituar diletantizmin që karakterizon diskutimet publike në Shqipëri.
Shqiptari i pakualifikuar që merr përsipër të bëjë gjeopolitikë shpesh bie viktimë e asaj që mund të quhet “narcisizmi i periferisë”. Duke mos pasur mjetet intelektuale për të analizuar dinamikat globale, ai tenton të projektojë frikërat, dëshirat dhe paragjykimet e tij mbi skenën ndërkombëtare. Ky diletantizëm shfaqet në dy forma kryesore: sipërfaqësia bisedore dhe konspiracioni.
Më shqetësuesja është që ky pakualifikim intelektual shfaqet dendur në televizione javë pas jave. Madje duke kaluar nga pretendimi për analizë në pretendimin për shpjegime definitive përmes konspiracionit. Konspiracioni shërben si një “fast-food” intelektual për ata që flasin në televizion por nuk kanë durimin apo kapacitetin për të studiuar kompleksitetin. Konspiracioni ofron shpjegime të thjeshta për probleme të vështira, duke ia faturuar çdo dështim apo ngjarje planeve sekrete të grupeve të padukshme. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një shprehje e pafuqisë intelektuale; është kapitullimi i arsyes. Kur një shqiptar në televizion, njësoj si në kafene, thotë “gjithçka është e vendosur nga ata të mëdhenjtë”, ai në fakt po pranon paaftësinë e tij për të kuptuar mekanizmat realë të fuqisë dhe po kërkon një justifikim për pasivitetin e tij.
Nëse ndokush, edhe pse mund të mos ketë studiuar, gjeopolitikë, histori e diplomaci, do të donte ta njihte disiplinën seriozisht, si një mjet që ndihmon në zbërthimin e ngjarjeve globale sot, duhet t’i futet leximeve. Nuk mund të flasësh për gjeopolitikë pa njohur debatin mes fuqisë tokësore dhe asaj detare, apo pa kuptuar sfidat moderne të sigurisë në Evropë. Halford Mackinder, Alfred Thayer Mahan apo Carlo Jean përbëjnë ABC-në e njohjes së disiplinës.
Analiza e gjeopolitikës është një disiplinë që kërkon punë të vazhdueshme studimore. Prandaj, televizionet duhet t’i thonë “ndal” atyre që ndjekin lajmet dhe parashikojnë se kur do zbresin alienët që të ndalojnë luftërat.

