Gjendja në kufirin e Kroacisë, ambasada: Procedurat mund të vonohen për shkak të sistemit EES
Ambasada e Kosovës në Zagreb ka njoftuar se po e ndjek me kujdes situatën në pikat kufitare të Kroacisë me Serbinë dhe Malin e Zi. Situata aktualisht konsiderohet stabile.
"Pas bisedës telefonike mes ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe ministrit kroat, Davor Božinović, u vendos që të gjitha sportelet në kalimet kufitare të Kroacisë të jenë të hapura, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve", thuhet në njoftim.
Megjithatë, Ambasada paralajmëron se procedurat mund të jenë më të ngadalta për shkak të hyrjes në fuqi të Sistemit Evropian të Hyrjes/Daljes (EES) më 12 tetor 2025, një sistem digjital që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve të treta në zonën Shengen.
Ambasada u uron të gjithë qytetarëve që udhëtojnë drejt Kosovës për festat e fundvitit rrugë të mbarë, shëndet dhe festa të gëzuara. /Telegrafi/


