Gagaçi i varur nga droga që u bë ylli më i paparashikueshëm i muzikës pop në botë
Scatman John e mposhti varësinë dhe e shndërroi belbëzimin e tij në një armë për t’u bërë yll i popit
(Action Press/Shutterstock)
Scatman John u ngrit nga pianisti i bareve modeste në famë globale në mesin e viteve ‘90 të shekullit XX, por varësitë e tij lanë pasoja të rënda.
Nga: Gina Waggott / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Ishte një nga fenomenet më të çuditshme në historinë e muzikës. Në fund të vitit 1995, artisti mashkull me shitjet më të mëdha në Evropë nuk ishte Michael Jackson, as ndonjë nga yjet e rinj arrogantë të britpopit, por një pianist 52-vjeçar amerikan i xhazit, me një belbëzim të theksuar. Ai kishte një histori varësie nga heroina dhe nuk kishte ndonjë interes të veçantë për famën. Por, dinte të “arratisej” - t’u jepte këngëve energji me një vërshim improvizimesh “du-bi-du” dhe rrokjesh të tjera - me një shpejtësi të padëgjuar më herët. Emri i tij ishte John Paul Larkin, por njihej më mirë si Scatman John.
I lindur në El Monte të Kalifornisë, në vitin 1942, Larkini u rrit në një kohë kur belbëzimi shihej gjerësisht jo si një gjendje neurologjike, por si një mangësi psikologjike: shenjë nervozizmi ose dobësie. Poshtërimin që përjetoi si fëmijë nuk e harroi kurrë. I detyruar të lexonte një artikull lajmesh para shokëve të klasës, Larkini nuk arriti të nxirrte as fjalën e parë: “The”. Qëndroi aty duke u dridhur, ndërsa fëmijët e tjerë qeshnin. Kaluan minutat dhe mësuesi ende nuk e liroi. Më vonë, ai do ta kujtonte atë turp si të pafund - një moment që e bindi se ishte i thyer. Atë artikull ishte në gjendje ta recitonte fjalë për fjalë në pjesën tjetër të jetës së tij.
Nëse të folurit ishte burg, muzika ishte çelësi i tij. Larkini e zbuloi pianon në moshën 12-vjeçare, i frymëzuar pasi pa Dave Brubeckun në televizor; te tastiera, belbëzimi - atë që Larkini e quante “sabotatori gjithmonë i pranishëm” - nuk e pengonte më. Duke dëgjuar Ella Fitzgeraldin dhe Louis Armstrongin, ai kuptoi se atë që ata bënin me vetëdije në muzikë, ai e bënte pa dashje. Xhazi, me theksin e tij te improvizimi dhe liria, u bë gjuha e tij.
Si i ri, Larkini filloi të luante në klube përgjatë Bregut Perëndimor të ShBA-së, duke përthithur bibapin dhe bluzin. Teknikisht ishte i përkryer, shpirtërisht i gatshëm dhe jashtëzakonisht serioz ndaj muzikës. Por, një rrjedhë e vazhdueshme alkooli dhe drogash - të përdorura për të kapërcyer hendekun mes vetëbesimit muzikor dhe terrorit shoqëror - më vonë e detyroi të jetonte një jetë më të qetë dhe të kthjellët. Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, Larkini u martua me gruan e tij të dytë, Judy, dhe u përcaktuar për një ekzistencë modeste si pianist lokalesh në Gjermani, duke luajtur muzikë të padukshme sfondi për klientët që mezi çonin kokën nga pijet e veta.
Pikërisht aty, në një moshë kur shumica e muzikantëve po e mbyllin karrierën, ai filloi transformimin e pamundur. Manfred Zähringer, drejtues i “Iceberg Records” në Danimarkë, i cili e kishte angazhuar Larkinin në anije turistike dhe hotele, sugjeroi të kombinohej këndimi i tij improvizues [scat] me muzikën bashkëkohore të vallëzimit. Larkini ishte skeptik. E shihte muzikën elektronike me dyshim dhe Zähringeru kujton se kishte menduar: “Një xhazist kurrë nuk do ta pranojë këtë”. Por, Larkini kishte pak për të humbur. Ai gjithashtu pa një mundësi: muzika pop mund t’i lejonte të ketë qasje te fëmijët, veçanërisht tek ata që, si ai, ndiheshin të përjashtuar për shkak të dallimeve të tyre.
I inkurajuar nga Judy, ai pranoi dhe vendosi të debutonte me një këngë për vetë belbëzimin. U bashkua me producentët Ingo Kays dhe Tony Catania, dhe rezultati ishte Scatman (Ski-Ba-Bop-Ba-Dop-Bop) - një këngë e këndshme dhe absurde në sipërfaqe, por që mbështetej nga një mesazh serioz. “Të gjithë belbëzojnë në një mënyrë apo tjetër”, këndonte ai. “Nëse Sketmeni mundet, mundesh edhe ti”. Vargje kaq të sigurta - e, megjithatë, kur singli u publikua në fund të vitit 1994, Larkini ishte i tmerruar. Ai priste tallje, përqeshjen e klasës të amplifikuar në nivel global.
Në vend të kësaj, disku shpërtheu. Deri në verën e vitit 1995, Scatman John ishte në krye të top-listave në një duzinë shtetesh. Klubet e lëshonin këngën pa pushim. Fëmijët e adhuronin. Në Japoni, “mania e Sketmnit” arriti nivele pothuajse histerike: e rrethonin në aeroporte; fytyra e tij shtypej në karta telefoni dhe riprodhohej në kukullat Scatman. Në Evropë, u shfaq në kanaçen e Coca-Cola-s. Në moshën 53-vjeçare, një njeri që dikur mezi shqiptonte emrin e vet ishte bërë një nga zërat më të dallueshëm në planet.
Skepticizmi u shfaq kur, herë pas here, duke folur me shtypin, Larkini fliste më rrjedhshëm. Mes sugjerimeve se belbëzimi i tij ishte një lojë për të shitur disqe, Larkini vendosi të belbëzonte haptas sa herë që intervistohej ose performonte drejtpërdrejt. “Ishte hera e parë që ndjeva turp pse nuk po belbëzoja”, pranoi ai. Nuk u përpoq më kurrë ta zbuste apo ta fshehte atë. Ky refuzim u bë radikalizmi i heshtur i karrierës së tij.
Por, rruga drejt famës ishte shtruar mbi rrënoja. Para se të shërohej, Larkini kishte mbijetuar mbidoza, shtrime në spital dhe arrestime të përsëritura. Humbja e kontrollit mund të ishte spektakolare - një herë kishte çuar lart pianon e tij elektrike Wurlitzer, prej 25 kilogramësh - gjatë një performance - dhe e kishte flakur mbi një tavolinë me njerëz që e ngacmonin. Rimëkëmbja nuk erdhi si një epifani triumfuese, por përmes një pune të rëndë: takime të alkoolistëve anonimë, vetanalizë dhe një proces i vështirë i të mësuarit se si të jetonte - dhe të fliste - pa alkool apo droga. (Belbëzimi, megjithatë, nuk u zhduk kurrë. Terapia e të folurit ofroi vetëm lehtësim të kufizuar.)
Suksesi i Larkinit ishte intensiv dhe i shkurtër. Ai incizoi tri albume, bëri turne pa pushim dhe mori mijëra letra nga njerëzit të cilët e quanin veten të huaj dhe që nuk përshtateshin. Një herë, Judy e gjeti pranë lotëve, i rrethuar nga pirgjet e letrave të adhuruesve. Nuk mund t’i lexonte të gjitha. “Po sikur të ketë një tjetër unë?” - tha ai, i dëshpëruar.
Unë isha një nga adhurueset e izoluara që i shkroi. Në vitin 1997, si adoleshente, po e fshihja belbëzimin tim, duke shmangur të njëjtat këshilla dashamirëse, por të kota, që Larkini kishte marrë gjithë jetën: “Ngadalëso, merr frymë, mendo paraprakisht”. Për habinë time, ai u përgjigj - jo si një personazh i famshëm, por si një gagaç tjetër. “Ti përket mes nesh”, më tha. U bëmë miq të ngushtë. Unë e drejtova faqen e tij të internetit për vite me radhë.
Por, deri në vitin 1998, shëndeti i Larkinit po përkeqësohej. Vitet e abuzimit me substanca kishin lënë gjurmët e veta dhe, i diagnostikuar me vonesë me kancer agresiv të mushkërive, gjendja e tij u përkeqësua shpejt. Kur e vizitova pak para vdekjes së tij, burri me kapelën fedora kishte ikur. Në vend të tij ishte një shpirt i brishtë dhe spiritual, që kishte bërë paqe me aktin e tij të çuditshëm të dytë. “Kam pasur jetën më të mirë të mundshme”, më tha. “Kam shijuar bukurinë”. Ai vdiq në dhjetor të vitit 1999, në moshën 57-vjeçare, vetëm katër vjet pas suksesit të tij global.
Pas vdekjes së gruas së tij Judy në vitin 2023, ndjeva se koha po afrohej për historinë e tij të panjohur. Me bekimin e familjes së tij, fillova të rindërtoj jetën e Larkinit dhe zbulova një parathënie për një autobiografi të cilën nuk e kishte përfunduar kurrë. “Veç një gagaç”, kishte shkruar ai, “mund të shkruajë një libër të tillë”. Atëherë e kuptova se duhej të isha unë.
Regjistrimet e tij të hershme të xhazit - teknikisht të sigurta, plot pasion dhe zjarr - po rishfaqen tani, duke ofruar një pamje më të qartë se si fama e tij e vonshme dhe e rastësishme e errësoi, më shumë sesa e zbuloi, talentin e tij. Miliona vetë që blenë hitet e tij të vallëzimit rrallëherë e dalluan virtuozin obsesiv që fshihej. Si Scatman John, ai vazhdoi të jetojë në meme, remikse dhe lista nostalgjike dëgjimi; këngët e tij janë transmetuar më shumë se gjysmë miliardi herë. Një brez i ri e ka përqafuar plotësisht - jo si një atraksion interesant, por si një njeri i plagosur dhe autentik që refuzoi të fshehte atë që e bënte të ndryshëm.
Në fund, Larkini nuk e “mposhti” belbëzimin e tij. Ai ndaloi së ikuri prej tij dhe, duke e bërë këtë, u dha të tjerëve leje të bënin të njëjtën gjë. “Shpresoj që fëmijët, ndërsa këndojnë bashkë me këngët e mia ose kërcejnë me to, ta ndiejnë se jeta nuk është aq e keqe”, tha ai. “Qoftë vetëm për një minutë”. /Telegrafi/


