Fqinjët e Harry Styles shprehin pakënaqësi për punimet e pafundme në megarezidencën e tij në Hampstead
Harry Styles po përballet me pakënaqësi nga fqinjët për shkak të rinovimit të madh që ka nisur në pronën e tij luksoze në Hampstead, e cila vlerësohet rreth 30 milionë funte (rreth 35.1 milionë euro).
Projekti, që përfshin shkrirjen e dy shtëpive në një rezidencë të vetme me katër dhoma gjumi, palestër, kinema dhe galeri arti, pritet të zgjasë deri në fund të vitit 2027.
Banorët e zonës kanë shprehur shqetësim për ndikimin e kantierit në jetën e përditshme, duke thënë se është “e trishtueshme të jetosh pranë një ndërtimi të tillë gjatë gjithë kohës”, shkrruan DailyMail.
Ata theksojnë se lagjja ka humbur ndjenjën e komunitetit, pasi shtëpitë blihen e rinovohen vazhdimisht nga milionerë. Megjithatë, deri më tani nuk është paraqitur asnjë ankesë zyrtare për projektin.
Ky zhvillim vjen pasi këngëtari ka blerë edhe një pronë tjetër të madhe në të njëjtën rrugë, të katërtën në total, duke e shtuar spekulimin se ai mund të jetë duke krijuar një kompleks gjigant privat.
Burime pranë artistit thonë se një pjesë e këtyre shtëpive mund të shërbejnë si ambiente për miqtë ose investime afatgjata.
Procesi i ndërtimit ka qenë i ndërlikuar për shkak të rregullave strikte të zonës së mbrojtur, që shtrihen deri te miratimi i ngjyrës së bojës.
Studime ekologjike kanë zbuluar fole zogjsh dhe aktivitet lakuriqësh nate, gjë që kërkon leje të veçantë për të vazhduar punimet.
Për të ulur shqetësimet e fqinjëve, Styles ka premtuar përdorimin e motorëve elektrikë dhe barriera akustike për të reduktuar zhurmën.
Megjithëse puna pritet të përfundojë në tetor 2027, vëzhguesit lokalë paralajmërojnë se pengesa të tjera të paparashikuara mund të shtyjnë edhe më tej afatin e projektit ambicioz të këngëtarit britanik. /Telegrafi/


