Flaka që dilte nga motori i aeroplanit, detyroi pilotin të kthehet në aeroportin e Los Anxhelosit
Autoritetet amerikane të aviacionit civil po hetojnë rastin kur një Boeing 737 i Sun Country Airlines, u kthye në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit me flakë që dilte nga motori i tij i djathtë të hënën.
"Ne nuk ishim as në ajër për 25 minuta dhe dukej sikur rrufeja kishte goditur aeroplanin ose diçka kishte shpërthyer", tha pasagjerja Ruth Sorensen për CNN.
"Ne në fakt mund të dëgjonim motorin, duke u fikur pasi kjo ndodhi dhe flakët po dilnin", shtoi ajo, transmeton Telegrafi.
Aeroplani po fluturonte për në aeroportin ndërkombëtar të Minneapolis/St. Paul me 166 pasagjerë në bord, kur pati "një problem" me njërin motor pas ngritjes dhe shpalli një emergjencë, tha linja ajrore në një deklaratë.
"Unë në fakt isha ulur pranë motorit që u përfshi nga flakët. Pashë vetëm një shkëndijë shumë të ndritshme nga dritarja", tha një pasagjere me emrin Sarah.
"Pasagjerja pranë meje mbajti duart dhe në një farë mënyre ngushëlluam njëri-tjetrin, duke u përgatitur për më të keqen", shtoi Sarah.
Pilotët shpallën një emergjencë dhe u kthyen për të ulur aeroplanin në LAX, ku u pritën nga kamionë zjarrfikës përpara se përfundimisht të shkonin drejt portës.
“Ne fjetëm në dyshemenë e aeroportit nga ora 3 e mëngjesit deri në orën 8:30 të mëngjesit, për të hipur në një fluturim të ri të Sun Country për t'u kthyer në shtëpi”, tha Sorensen.
“Pasagjerët dhe ekuipazhi ynë janë përparësia jonë dhe ne e vlerësojmë profesionalizmin e pilotëve dhe asistentëve tanë për të siguruar sigurinë e klientëve tanë”, tha linja ajrore në një deklaratë. /Telegrafi/


