Please enter at least 3 characters.

Fizioterapia, sportistët dhe fëmijët – fizioterapeuti Skifter Ymeri në podcastin "Shëndeti në rend të parë"

Në episodin e 87-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Klinike e Syrit "Kubati", i ftuar është fizioterapeuti, Skifter Ymeri i cili flet për rëndësinë e fizioterapisë, kujdesin ndaj trupit dhe rikuperimin pas lëndimeve, sidomos tek sportistët dhe futbollistët.

Ymeri tregon se rrugëtimi i tij në fizioterapi lidhet ngushtë me familjen, pasi edhe babai i tij ka qenë aktiv në këtë fushë, duke e frymëzuar që ta ndjekë të njëjtin profesion.

“Duke parë punën e tij, fisnikërinë e tij, më ka bërë që të jem më kureshtar rreth fizioterapisë dhe ta ndjek një ëndërr edhe të prindit”, tregon Ymeri.

- YouTubewww.youtube.com

Por, Ymeri foli edhe për dhimbjen duke thënë se ndalja e dhimbjes tek pacienti nuk do të thotë se pacienti është shëruar plotësisht.

Sipas tij, kthimi në aktivitet, qoftë në jetën e përditshme apo në fushën e sportit, duhet të bëhet vetëm pas vlerësimeve, testeve dhe protokolleve të fizioterapisë.

“Dhimbja është shenjë shumë e madhe që të kemi kujdes, por nuk është determinuese”, thotë ai.

Ymeri thekson se pacientët dhe sportistët nuk duhet ta marrin ndaljen e dhimbjes si sinjal për rikthim të menjëhershëm në aktivitet.

“Ndalja e dhimbjes nuk do të thotë që patjetër ju mund të ktheheni në aktivitetin tuaj të përditshëm”, shprehet ai, duke shtuar se “testet janë ato që e caktojnë” kohën e rikthimit.

Në pjesën sportive, Ymeri flet për përvojën e tij si fizioterapeut i Kombëtares së Kosovës dhe për punën me futbollistët.

Ai shpjegon se prapa fushës së gjelbër ka shumë stres, sepse lojtarët shpesh duan të rikthehen sa më shpejt në lojë, ndërsa stafi mjekësor duhet të vendosë në bazë të rrezikut dhe gjendjes reale të sportistit.

“Në ekran duket shumë e bukur, por brenda është shumë me stres, pasi lojtarët kërkojnë doemos që të paraqiten, mos ta humbin një ndeshje”, thotë Ymeri.

Skifter Imeri, fizioterapeut

Ai sqaron se vendimet për rikthimin e një futbollisti pas lëndimit merren në bashkëpunim me stafin mjekësor, përmes testeve dhe vlerësimeve.

“Ne i bëjmë testet, vlerësimet, bashkërisht me ortopedin dhe me kolegët tjerë, pastaj i tregojmë trajnerit se sa është i gatshëm ose çfarë rrezikojmë”, shpjegon ai.

Ai thekson se lëndimet më të shpeshta në futboll lidhen me gjurin dhe shputën, ndërsa si një nga faktorët që po ndikon në rritjen e tyre përmend edhe përdorimin e fushave sintetike, sidomos te fëmijët dhe akademitë sportive.

“Lëndimet më të shpeshta janë të gjurit. Sot në Kosovë arsyeja kryesore janë fushat sintetike”, thotë Ymeri.

Sipas tij, kalimi nga fushat me bar natyral në fusha sintetike po krijon probleme të reja te fëmijët dhe futbollistët.

“Fëmijët dhe futbollistët në përgjithësi kanë probleme të ndryshme, të cilat më parë nuk kanë qenë prezente”, shprehet ai.

Ymeri flet edhe për rëndësinë e gjumit në rikuperimin e sportistëve, duke thënë se një futbollist duhet të ketë rreth shtatë deri në nëntë orë gjumë brenda 24 orëve. Sipas tij, gjumi është pjesë e rëndësishme e regjenerimit të trupit, po aq sa stërvitja dhe fizioterapia.

“Një nga kriteret e rehabilitimit dhe regjenerimit tash është edhe gjumi”, thotë ai.

Ai shton se sportistët duhet të jenë të disiplinuar me gjumin, sepse trupi nuk mund të rikuperohet si duhet pa pushim cilësor.

“Një sportist pa një gjumë të mirë, pa një rehati të mirë, trupi nuk e ka atë pozitivitetin e duhur për trajning ose për aktivitet”, thekson Ymeri.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës i kushtohet edhe fëmijëve, posturës dhe deformiteteve trupore.

Ymeri thotë se numri i fëmijëve me deformitete është në rritje dhe se kjo lidhet kryesisht me stilin e jetës, përdorimin e telefonit në moshë të hershme, qëndrimin e gjatë para televizorit dhe mungesën e aktivitetit fizik.

Po ashtu Ymeri rekomandon që fëmijët të merren me sport dhe veçanërisht të mësojnë notin, të cilin e cilëson si një nga aktivitetet më të mira për zhvillimin e trupit, muskujve dhe nyjeve.

“Noti është një disciplinë e veçantë dhe një sport shumë i veçantë”, thotë ai.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë". /Telegrafi/