Evropianët e rinj të izoluar
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe iu bashkua botës së lirë duke u bërë shteti i 193-të në botë. Rruga e saj e zgjedhur është drejt integrimit evropian, me dëshirën për t'u integruar plotësisht në familjen e demokracive euroatlantike.
Kosova është shtëpia e popullatës më të re në Evropë, me një moshë mesatare prej 25.9 vjeç. Kjo ishte edhe arsyeja që qeveria e Kosovës filloi një fushatë për Kosovën me moton “Kosovo: The Young Europeans“. Megjithatë, ironia është se këta të rinj nuk janë të lirë për të takuar Evropën, së cilës i përkasin!
Edhe pse Kosova historikisht, në aspektin kulturor dhe shoqëror është pjesë e Evropës dhe padyshim është një nga vendet më pro-perëndimore në planet, ajo është refuzuar vazhdimisht nga Komisioni Evropian: kur është fjala për lirinë e lëvizjes, qytetarët e Kosovës janë më të izoluarit nga pjesa tjetër e Evropës. Ka një numër pengesash që i mbajnë banorët e Kosovës larg nga pjesa tjetër e Evropës, duke përfshirë faktin që ata përballen me shkallën më të lartë të refuzimit nga të gjitha vendet e Ballkanit, kur aplikojnë për viza Shengen dhe se ata janë i vetmi popull në Ballkanin Perëndimor që kanë nevojë për viza për të udhëtuar brenda rajonit të tyre dhe vendeve të BE-së.
Për të hyrë në Kosovë nuk nevojiten viza dhe si rezultat gjatë dekadës së fundit qytetarë nga e gjithë bota janë vendosur në vend. Megjithatë lëvizja e lirë pa viza është e mundur për kosovarët në vetëm pesë shtete, që e bën atë vendin me nivelin më të lartë të kufizimeve të vizave të vendosura mbi ndonjë shtet në botë. Kosova është e pasuar nga Afganistani, qytetarët e të cilit mund të udhëtojnë pa viza në 20 vende, pastaj Iraku (23 vende) dhe Somalia (25 vende).
Regjimi i vizave ka kultivuar një ambient që pengon shkëmbimet kulturore dhe zhvillimin e të rinjve. Lista e zezë ngulfatëse nga zona e Shengenit gjithashtu dekurajon zhvillimin ekonomik dhe ka ndikim negativ në marrëdhëniet e biznesit në Kosovë. Ndërmarrësit përballen me pengesa të mëdha për të hyrë në zonën e Shengenit, ku ata mund të zbulojnë mundësi potenciale të biznesit. Kosova ka numrin më të vogël të kontratave të bashkëpunimit me vendet anëtare të BE-se në drejtim të shkëmbimeve studentore, lëvizjeve të punëtorëve dhe formave të tjera të përvojave jashtë vendit.
Pa mundësi për të udhëtuar, qytetarët e Kosovës zhvillojnë perceptime të pasakta për botën e jashtme, bazuar në përshtypjet e mediave të njëanshme, gjë që kontribuon në rritjen e ndjenjës së izolimit të Kosovës nga pjesa tjetër e Evropës.
Duket se kur shtetet e Komisionit Evropian thonë që Ballkani ka perspektivë evropiane, ato nuk i referohen Kosovës. Pak shtete anëtare të BE-së nuk pajtohen për pavarësinë e Kosovës, megjithatë banorët e Kosovës të të gjitha etnive mbesin të izoluar për një vizë. Kjo është, besoj, një problem serioz për interesat e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Kosova duhet të ecë së bashku me fqinjët e saj për të shkuar përpara, drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
Është absurde që në shekullin XXI janë dy milionë njerëz që jetojnë të ngujuar, mu në zemër të Evropës. Shpresojmë, në të ardhmen e afërt, muret e ndërtuara rreth Kosovës do të bien, dyert e Evropës do të hapen dhe do mirëpresin këta evropianë të rinj.
Autorja është anëtare e ekipit të shkrimit të Think Young. (Think Tank që lobon për interesat e të rinjëve evropianë). Ky artikull është publikuar në gjuhën angleze në www.blogactiv.eu


