Please enter at least 3 characters.

Ernest Muçi shënon dhe asiston, por Trabzonspori mposhtet

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Ernest Muçi, ka konfirmuar edhe një herë formën e shkëlqyer që po kalon në elitën e futbollit turk.

Muçi ishte protagonist për Trabzonsporin, duke realizuar një gol dhe duke dhuruar një asistim, megjithatë kontributi i tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen 4-3 ndaj Gençlerbirligi, në ndeshjen e zhvilluar të hënën mbrëma dhe që i takoi xhiros së 17-të të kampionatit.

Fillimisht, në minutën e 50-të, 24-vjeçari asistoi për golin e dytë të Trabzonsporit, të shënuar nga Felipe Augusto.

Më pas, në minutën e 67-të, Muçi u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke realizuar golin e tretë për ekipin e tij. Ai e përfundoi ndeshjen si titullar dhe ishte ndër më të dalluarit në fushë.


Në këtë edicion, Muçi ka regjistruar shtatë gola dhe dy asistime në 14 paraqitje në kampionat, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Trabzonsporit.

Pas kësaj xhiroje, Trabzonspori renditet në vendin e tretë me 35 pikë, katër më pak se Fenerbahçe që mban pozitën e dytë, ndërsa kryesimin e tabelës e ka Galatasaray me 42 pikë. Në anën tjetër, Gençlerbirligi ndodhet në vendin e 11-të me 18 pikë. /Telegrafi/