Please enter at least 3 characters.

Elezi: Janë hapur shumica e qendrave të votimit – mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote

Procesi zgjedhor në Kosovë ka nisur zyrtarisht sot, me hapjen e shumicës së qendrave të votimit në të gjitha komunat e vendit. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili tha se, me përjashtim të ndonjë vonese në qendra të caktuara, procesi ka nisur normalisht.

“Janë hapur qendrat e votimit në Kosovë me përjashtim të ndonjë vonese në ndonjë qendër të caktuar. Sot procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2625 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra të rregullta me 2571 vendvotime, ndërkaq 38 qendra të tjera nga një për çdo komunë me 54 vendvotime janë hapur për të mundësuar votimin me kusht", ka thënë Elezi.

Sipas listës përfundimtare të votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 2,025,105, të shpërndarë në të 38 komunat e Kosovës. Elezi theksoi se KQZ ka ndërmarrë të gjitha masat për t’ua lehtësuar qytetarëve ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese për të votuar.

Ai tha se sipas listës së votuesve numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Kosovë është 2 milionë e 25 mijë e 105 qytetarë të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna.

“ KQZ do të organizojë edhe votimin përmes ekipeve mobile lëvizëse për 3467 votuesit me nevoja të veçanta të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht. KQZ fton qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre Kushtetuese. Në orët e para të fillimit të procesit të votitmi secili votues mund të kontrolloj me lehtësi se ku është vendi i tyre i votimit”, ka thënë Elezi.