Please enter at least 3 characters.

E drejta e fëmijëve për t’u edukuar

Vendi ynë po kalon nëpër ndryshime të njëpasnjëshme sa i përket zhvillimit dhe transicionit nëpër të cilin po kalon. Përpjekjet për ta ngritur cilësinë e jetesës janë të mëdha, kryesisht në fushat ekonomike, politike, arsimore, etj.
Megjithatë zhvillimet edhe pse mund të zhvillohen me hapa të vegjël ato duhet të fillojnë nga shkalla e parë, në mënyrë që të krijohet një bazament i fuqishëm, mbi të cilat mund të ndërtohen gjëra më të mëdha.

Edukimi i fëmijëve në mënyrë të institucionalizuar është ndër faktorët kyç të arritjes së cilësisë në arsim. Një edukim të tillë i takon secilit fëmijë në vend, si një e drejtë fundamentale. Pa e anashkaluar edhe edukimin e mirëfilltë që ata marrin në familje, e cila është qeliza e parë e zhvillimit dhe edukimit të tyre.

Situata në vendin tonë po tregohet e kundërt nga ajo që duhet të jetë. Edhe pse në shikim të parë mendojmë se edhe ne jemi vend që e vlerësojmë edukimin që në moshën e hershme parashkollore, numri i fëmijëve që e gëzojnë këtë të drejtë është shumë i vogël.

Duke ju referuar statistikave që UNICEF- i, ka publikuar thuhet se më pak se 10% e fëmijëve të moshës 3-6 vjeç kanë qasje në programe të edukimit parashkollor apo të programeve të zhvillimit. Sipas tyre, ky numër është i fëmijëve që jetojnë në qytete, të cilët kanë mundësi dhe fat të regjistrohen në çerdhe, kopshte, qendra të kujdesit ditor, etj. Them fat për arsye se në kryeqytet ekzistojnë vetëm 8 institucione parashkollore publike, dhe përafërsisht aq private. Mesatarja e numrit të fëmijëve nëpër IP publike sillet rreth 250-300, për kopsht, ndërsa në IP- private 50-70 për kopsht.

Fëmijët e zonave rurale mund të kenë mundësinë që institucionet t’i shohin vetëm përmes televizioneve, kur mund të emetohet ndonjë program për ta.

Këto situata mund t’i gjejmë edhe në qytete të mëdha, ku fëmijët qoftë përmes televizionit’ qoftë duke i parë nga jashtë oborrit të institucioneve, mund të kënaqen duke i shikuar moshatarët e tyre si dhe duke dëshiruar që edhe ata të jenë së bashku me ta.

Numri i fëmijëve që të vetmin edukim e kanë në familje dhe komunitet është i madh. Edhe pse në të shumtën e rasteve familja mundohet të japë më të mirën për fëmijët e tyre, edukimi i parashkollorëve në institucione është shumë i rëndësishëm.

Vetë fakti se fëmija po fillon një jetë të strukturuar e përgatitë dhe e ndihmon atë, në fazën e shkuarjes në klasë të parë. Informacionet dhe njohuritë që fëmijët i mësojnë në institucione, nga edukatoret e tyre, shokët dhe shoqet, ambienti që i rrethon, i privilegjon ata nga moshatarët të cilët nuk janë pjesë e këtij sistemi.

Përvojat që ata marrin në edukimin e institucionalizuar, vizitat që i bëjnë nëpër vende të ndryshme, shpeshherë për fëmijët që edukohen vetëm në shtëpi, mund të jenë vetëm pjesë e imagjinatës së tyre.

Planet dhe programet nëpër institucione, përmes aktiviteteve dhe lojës, ndihmojnë që fëmijët të zhvillohen dhe edukohen nëpër fusha të ndryshme siç është fizike, emocionale, sociale, intelektuale. Informacioni që sillet nëpër qeniet e tyre janë të shumta dhe të përzgjedhura, për të vetmen arsye që fëmijët të përgatiten sa më mirë për shkollë, shoqëri, dhe për jetë. Rëndësia që fëmijët të fillojnë të punojnë në mënyrë të strukturuar, të fitojnë edukatë për punë që në moshë të hershme, natyrisht se do t’i shkathtësojë ata të përballen me sfidat të cilat mund të ballafaqohen më tutje, në shkollë, në shoqëri Pa anashkaluar edhe menaxhimin e mirë të asaj që ata e përjetojnë dhe ndjejnë brenda vetes së tyre.

Këto dhe gjëra të tjera menjëherë reflektojnë që në ditën e parë kur ata fillojnë klasën e parë. Fëmijët që kanë qenë pjesë e institucioneve parashkollore, klasën e parë nuk e kanë përvojë të tyre të parë. Ata dinë gjëra të shumta, çfarë i pret në shkollë, për mësuesen, shokët dhe shoqet, për librat dhe gjërat e tjera në përgjithësi. Ndarja nga prindërit nuk është aspak problem për ta, tashmë janë të adaptuar duke qëndruar me të tjerët dhe larg prindërve. Shoqërimi më fëmijët e tjerë dhe të rinj, nuk paraqet asnjë problem. Me shumë lehtësi fillojnë të shoqërohen sikur të ishin njohur edhe më parë. Diskutimet mund të jenë të dimensioneve të ndryshme dhe komunikimi i tyre është shumë i lirshëm.

Mirëpo për dallim të tyre, fëmijët që nuk kanë qenë pjesë e institucioneve parashkollore, e përjetojnë më vështirësi shkuarjen në shkollë. Ndarja nga prindërit shpeshherë lë gjurmë për një kohë të gjatë, Gjurmë të cilat ndikojnë shumë keq në zhvillimin dhe edukimin e tyre të gjithanshëm. Në diskutime me moshatarët e tjerë ata mund të ndjehen të privuar për shkak të mungesës së informacioneve. Shkathtësitë që i kanë natyrisht se dallohen nga të shokëve dhe shoqeve të tyre. Informacionet zakonisht janë të pakrahasueshme.

Si rezultat i gjithë kësaj natyrisht se mësuesja përballet me vështirësitë më të mëdha, ku para vetes, njërën anë ka fëmijë që kanë qenë në Institucione parashkollore dhe që zhvillimi dhe edukimi i tyre është i përparuar dhe në anën tjetër gjendet përpara fëmijëve që shkolla dhe sistemi edukativ për ta është pothuajse i panjohur.
Të gjendesh përballë këtyre dy lloj strukturave të fëmijëve njëkohësisht nuk është aspak e lehtë, integrimi i tyre mes vete nuk mund të jetë i dobishëm, sepse çdoherë njëra palë do ta pësoj. Nëse mësuesja vendos që forcat e saja t’i drejtojë kah fëmijët që nuk kanë shumë njohuri, do të pësojnë dhe nuk do t’ju shkojë përshtat atyre që tashmë i dinë gjërat e tilla dhe anasjelltas..

Që arsimi të ketë peshë dhe vërtetë të jetë i qëndrueshëm, duhet të fillojë që në moshën parashkollore 0-6 vjeç. Planet, programet, mundësitë që atyre iu ofrohen gjatë kësaj kohe i ndihmon fëmijët që të nxjerrin në dritë predispozitat që i kanë brenda vetes. Gjatë kësaj kohe ata pothuajse e ndërtojnë mbi 70% të personalitetit të tyre

Tek ta mbillet e ardhmja e tyre, që do t’i përcjell gjatë gjithë jetës.

• Fëmijët mund ta ndryshojnë të ardhmen e shtetit, mirëpo ata nuk mund ta detyrojnë shtetin që ta ndryshojnë gjendjen e tyre.
• Ata janë të mbrojtur me konventë, mirëpo nuk mund të ndikojnë tek të rriturit që ta respektojnë atë.
• Atyre u premtohet kujdes, por ata nuk mund të ndikojnë tek të rriturit që ta ushtrojnë kujdesin e duhur.
• Atyre u është premtuar edukimi i drejte, por ata nuk kanë fuqi që këtë t’ua kërkojnë të rriturve.

Të rriturit duhet të punojnë shumë në mënyrë që të drejtën për edukim, t’ua dhurojnë secilit fëmijë. Në këtë mënyrë do të ketë zhvillim dhe edukim të qëndrueshëm.
Në këtë mënyrë shoqëria do të ketë rrënjë të shëndosha, që do të ndihmojnë atë të përballet me sfidat që u dalin përpara.

Le të jetë kjo një thirrje për të gjithë ne, që të gjithë fëmijëve pa dallim ngjyre, feje, gjuhe, race që ata mund t’i përkasin, ta gëzojnë të drejtën e edukimit të hershëm të institucionalizuar. Të mos ndalemi dhe ta festojmë një qershorin për t’ju blerë vetëm dhurata, por të ulemi dhe të punojmë shumë, që atyre t’ua sigurojmë të drejtën që u takon. Edukim të qëndrueshëm për shtet të fortë.