Please enter at least 3 characters.

Dronët nga hapësira ajrore ruse goditën territorin e Estonisë dhe Letonisë, thonë autoritetet

Dronët që vijnë nga hapësira ajrore ruse goditën territoret e tyre, thanë të mërkurën autoritetet letoneze dhe estoneze.

Një dron "godi oxhakun e termocentralit Auvere" në Estoni, tha në një deklaratë ISS e sigurisë së brendshme të vendit, ndërsa një tjetër ra në territorin e Letonisë.

Termocentrali Auvere, i operuar nga grupi Enefit Power, ndodhet në verilindje të Estonisë, pranë qytetit Narva në kufirin rus.

“Këto janë efektet e luftës së agresionit në shkallë të gjerë të Rusisë”, tha drejtoresha e përgjithshme e ISS, Margo Palloson, duke shprehur shqetësimin për “ndodhjen e incidenteve të tilla në të ardhmen”.

Prokurorët po mbikëqyrin hetimet për ngjarjen. Ndërkohë, kryeministrja e Letonisë, Evika Silina tha në një postim në X se droni që ra në territorin e Letonisë ishte me sa duket ukrainas.

Ukraina kreu disa sulme kundër Rusisë gjatë natës, në veçanti duke synuar portin kryesor veriperëndimor të Ust-Luga në Gjirin e Finlandës, transmeton Telegrafi.

Forca ajrore e Letonisë tha se kishte identifikuar një mjet ajror pa pilot që udhëtonte në hapësirën ajrore të Letonisë nga Rusia, dhe se sistemi i saj i paralajmërimit të hershëm zbuloi një tingull të ngjashëm me një shpërthim në rajonin e Kraslavës.

Kraslava është në cepin juglindor të Letonisë në kufi me Bjellorusinë, një aleate e Moskës.

Autoritetet letoneze thanë se nuk kishte të lënduar apo dëme të shkaktuara nga shpërthimi dhe se rrënojat e dronit ishin gjetur. /Telegrafi/