Please enter at least 3 characters.

Drejtësia tranzicionale, Svirca: Qëllimi është të ndërtojmë një shoqëri që mëson nga historia dhe e kthen në bazë për zhvillim demokratik dhe paqe

Në episodin më të ri të "Përballje Podcast" në Telegrafi.com, Baki Svirca, udhëheqës i Divizionit për Drejtësi Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë ka folur për Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale, dokument dhjetëvjeçar që synon të vendos themelet e drejtësisë dhe ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë.

Svirca shpjegoi se katër parimet që përbëjnë bazën e strategjisë janë, e drejta për të ditur, e drejta e qytetarëve dhe e viktimave për t’u njoftuar me të vërtetën mbi atë që ka ndodhur në të kaluarën, qasja në drejtësi e garantimi i mundësisë që viktimat të kërkojnë dhe të marrin drejtësi përmes institucioneve ligjore; reparacionet për viktimat, kthimi i dinjitetit përmes kompensimeve materiale dhe jomateriale; masat reformuese (ndërmarrja e reformave institucionale për të parandaluar përsëritjen e së kaluarës).

“Këto janë katër shtyllat bazë mbi të cilat është ndërtuar strategjia. Secila prej tyre është përkthyer në objektiva specifike që udhëheqin zbatimin e dokumentit”, shtoi ai.

Sipas Svircës, strategjia nuk është vetëm dokument politik, por një platformë gjithëpërfshirëse ku integrohet e gjithë puna që është bërë në Kosovë që nga paslufta në fushën e drejtësisë tranzicionale.

“Përveç që është dokument strategjik, ne e konsiderojmë si platformë që integron gjithçka që është bërë në Kosovë në raport me drejtësinë tranzicionale që nga viti 1999 e këndej”, shpjegoi ai.



Ai theksoi se ballafaqimi me të kaluarën nuk është çështje ndërshtetërore, por proces reformimi dhe emancipimi shoqëror.

“Dua ta sqaroj njëherë e përgjithmonë se ballafaqimi me të kaluarën nuk ka të bëjë me raporte ndërshtetërore, por me reformimin shoqëror. Është proces që ndihmon shoqërinë të marrë mësime nga e kaluara dhe ta shndërrojë në bazë për zhvillim demokratik dhe kohezion social”, tha Svirca.

Ai kujtoi se veprimet e para për ballafaqimin me të kaluarën në Kosovë kanë filluar menjëherë pas luftës, me vendosjen e administratës së Kombeve të Bashkuara.

“Në Kosovë veprimet e para kanë filluar që me ardhjen e UNMIK-ut, përmes një rregulloreje të vitit 1999 që përcaktonte bazën juridike për administrimin e vendit deri në krijimin e legjislacionit vendor”, u shpreh ai.

Sipas tij, ajo rregullore përbënte bazën e parë normative që lidhej drejtpërdrejt me çështjet e së kaluarës dhe krijonte themelet për qasje institucionale ndaj drejtësisë tranzicionale.

“Ajo bazë juridike, për mendimin tim dhe për shumë ekspertë të fushës, është marrë drejtpërdrejt me të kaluarën dhe ka ndikuar në formimin e institucioneve që kemi sot”, shtoi ai.


Në përfundim, Svirca theksoi se qëllimi i drejtësisë tranzicionale nuk është ndëshkimi, por emancipimi shoqëror dhe ndërtimi i një kulture të së vërtetës dhe përgjegjësisë.

“E kaluara duhet kuptuar dhe transformuar. Qëllimi është të ndërtojmë një shoqëri që mëson nga historia dhe e kthen atë në bazë për zhvillim demokratik dhe paqe të qëndrueshme”, përfundoi ai.

“Ky podcast u realizua në bashkëpunim me Pro Peace. Pikëpamjet e shprehura në këtë podcast janë përgjegjësi e Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace”. /Telegrafi/