Please enter at least 3 characters.

Dizartria mund të jetë zhvillimore ose e fituar: Çfarë ndodh nëse nuk trajtohet?

Ky çrregullim neurologjik prek kontrollin e muskujve të të folurit dhe mund të ndikojë seriozisht në komunikim, shëndetin mendor dhe cilësinë e jetës nëse lihet pa trajtim

Dizartria është një çrregullim motorik i të folurit i shkaktuar nga dëmtimi i nervave, i cili dobëson ose vështirëson kontrollin e muskujve të përfshirë në të folur. Ky çrregullim neurologjik shkakton të folur të paqartë, të ngadalshëm, të dobët, monoton ose murmuritës. Personat me dizartri e kuptojnë se çfarë u thuhet, e dinë saktësisht çfarë duan të thonë dhe si ta thonë, por dobësia e muskujve ua vështirëson këtë aktivitet.

Dizartria shfaqet si pasojë e goditjes në tru, traumave të kokës, sëmundjes së Parkinsonit, sklerozës multiple dhe gjendjeve të tjera neurologjike, ndërsa trajtohet me ushtrime logopedike.

Dizartria e vështirëson lëvizjen e buzëve, gjuhës ose nofullës

Dizartria shpesh shkakton të folur të paqartë ose të ngadalshëm, i cili është i vështirë për t’u kuptuar për shkak të paralizës së fytyrës ose dobësisë së muskujve të gjuhës apo fytit. Problemet me të folurin mund të shkaktojnë vështirësi në situata shoqërore, sepse përpjekja e personit për të komunikuar dhe për t’u kuptuar mund ta vështirësojë jetën e përditshme, të krijojë tension në punë, në shkollë dhe në marrëdhënie në përgjithësi, transmeton Telegrafi.

Personi me dizartri mund të ketë vështirësi në lëvizjen e buzëve, gjuhës ose nofullës, ndërsa simptomat janë:

  • Të folur i paqartë ose murmuritje
  • Të folur shumë i shpejtë ose shumë i ngadalshëm
  • Të folur shumë i fortë ose krejtësisht i dobët
  • Zëri tingëllon i ngjirur, i ashpër, i tensionuar, nazal, robotik ose monoton
  • Të folur në “rafale” të shkurtra e të ndërprera me shumë pauza, në vend të fjalive të plota

Paraliza e fytyrës shfaqet si pasojë e dëmtimit të nervit facial dhe mund të jetë e lehtë ose totale.

Dizartria zhvillimore ose e fituar

Lëndimet, sëmundjet dhe gjendjet neuromuskulare (sëmundje që prekin nervat që kontrollojnë muskujt) mund të shkaktojnë dizartri. Dëmtimi i pjesëve të sistemit nervor që kontrollojnë muskujt që na ndihmojnë të shqiptojmë tingujt, muskujt e fytyrës, fytit dhe muskujt që na ndihmojnë të marrim frymë, e vështirësojnë të folurin. Ekzistojnë dy lloje të dizartrisë:

1. Dizartria zhvillimore shfaqet si pasojë e dëmtimit të trurit gjatë zhvillimit fetal ose gjatë lindjes. Për shembull, paraliza cerebrale mund të shkaktojë dizartri, ndërsa fëmijët janë në përgjithësi më të prirë për zhvillimin e kësaj gjendjeje.

2. Dizartria e fituar shfaqet si pasojë e dëmtimit të trurit më vonë gjatë jetës. Për shembull, pas goditjes në tru, tumorit në tru ose sëmundjes së Parkinsonit, gjendje që mund të çojnë në dizartri dhe që shfaqet më shpesh te të rriturit.

Çfarë ndodh nëse çrregullimi nuk trajtohet?

Nëse dizartria nuk trajtohet, vështirësitë në komunikim përkeqësohen, gjë që çon në izolim të theksuar social, marrëdhënie të tensionuara dhe depresion, ndërsa potencialisht mund të shkaktojë edhe rritje të pështymës dhe rrjedhje të saj, probleme me frymëmarrjen dhe probleme me ushqyerjen, përkatësisht me gëlltitjen, çka ndikon në cilësinë e përgjithshme të jetës.

Dizartria e patrajtuar mund të përparojë, duke e bërë të folurin të pakuptueshëm dhe duke kërkuar komunikim alternativ, sepse ndikon në muskujt e frymëmarrjes, zërit, rezonancës dhe artikulimit. Për shkak të përfshirjes së muskujve respiratorë mund të zhvillohen modele të parregullta të frymëmarrjes, ndërsa në varësi të shkakut bazë (si skleroza multiple), problemet me të folurin mund të përkeqësohen me kalimin e kohës.

Ky çrregullim neurologjik ndikon ndjeshëm edhe në shëndetin mendor për shkak të barrierës serioze në komunikim, gjë që shpesh shkakton tërheqje sociale, izolim nga familja dhe miqtë. Frustrimi dhe izolimi më pas shpesh çojnë në probleme të shëndetit mendor si depresioni dhe ankthi. /Telegrafi/