Dhoma e Tregtisë kundërshton fazën e dytë të liberalizimit të tregut të energjisë
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj planit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për të nisur fazën e dytë të liberalizimit të tregut të energjisë, e cila parashikohet të fillojë nga muaji prill.
Në një komunikatë, Dhoma thekson se “forma e zgjedhur për liberalizim është e gabuar, pa asnjë analizë paraprake, me mungesë mekanizmash kontrollues dhe me një mori shkeljesh të vërtetuara nga Gjykata Supreme e Kosovës.”
Sipas Dhomës, kompanitë që dolën vitin e kaluar në tregun e hapur të energjisë u përballën me fatura trefish më të larta dhe reduktime të ashpra, duke pësuar dëme të mëdha financiare dhe operative, që rrezikuan qëndrueshmërinë e bizneseve dhe vendet e punës.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës i vërtetoi paralajmërimet tona për rritje të çmimeve dhe kostos së prodhimit, që ndikuan në rritjen e importit,” thuhet në njoftim.
Dhoma i bën thirrje Kuvendit të Kosovës dhe komisioneve përkatëse që të ndërmarrin masa të shpejta për t’i vënë para përgjegjësisë aktorët e energjisë, për të shmangur pasoja të mëtejshme për bizneset dhe ekonominë.
Në përfundim, Dhoma thekson se situata kërkon veprime urgjente para se të jetë vonë për kompanitë dhe tregun e energjisë në Kosovë. /Telegrafi/


