Please enter at least 3 characters.

Deputeti gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë

Deputeti i Bundestagut gjerman, Adis Ahmetoviq, ka mbajtur një fjalim të fortë në Parlamentin gjerman, ku ka folur për ngjarjet në Kosovë në vitin 1999, duke theksuar se mijëra njerëz u bënë viktima të masakrave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Gjatë fjalimit, Ahmetoviq kritikoi ashpër përdorimin e vazhdueshëm të narrativit se bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999 kanë krijuar një precedent, duke theksuar se ky diskurs po përdoret shpesh, madje edhe nga e djathta ekstreme, për të legjitimuar shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Ai theksoi se ky narrativ përdoret edhe në debatet aktuale në Bundestag, përfshirë diskutimet mbi politikën e jashtme të kancelarit federal, dhe paralajmëroi se një qasje e tillë rrezikon të relativizojë luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës.

“Sa herë që e përdorni këtë narrativ, harroni viktimat e Srebrenicës të vitit 1995, sepse atëherë nuk pati ndërhyrje humanitare. Sa herë që e përdorni këtë narrativ, harroni mbi të gjitha edhe viktimat në Kosovë. Shumë mijëra njerëz u bënë viktima të masakrave të Millosheviqit”, deklaroi Ahmetoviq.

Ahmetoviq shtoi se ndërhyrja humanitare e vitit 1999, e mbështetur edhe nga Bundestagu gjerman, ishte vendimtare për të parandaluar përsëritjen e një gjenocidi në Ballkanin Perëndimor.

Ai akuzoi disa deputetë për mbrojtje të narrativëve që, sipas tij, janë kundër demokracisë dhe të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe mbrojtjen e figurave si Millosheviqi.

Për këtë fjalim, Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka falënderuar publikisht deputetin Ahmetoviq, duke e vlerësuar qëndrimin e tij të qartë.

“Faleminderit, i dashur Adis, për qëndrimin tënd të qartë dhe fjalët e tua të drejtpërdrejta”, ka shkruar Ajeti./Telegrafi.