Delegacioni nga Gjakova në vizitë zyrtare në Ferrara të Italisë, synohet binjakëzimi këtyre dy qyteteve
Me ftesë të kryetarit të qytetit italian Ferrara, Alan Fabbri, dhe në bashkëpunim me Shoqatën “Vatra” të komunitetit shqiptar në Itali, një delegacion nga Komuna e Gjakovës realizoi një vizitë zyrtare në këtë qytet historik.
Delegacioni u kryesua nga kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjakovës, Arbënesha Kuqi, ndërsa pjesë e këtij delegacioni ishin edhe drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Adea Roka Pylla, drejtoresha e Arsimit, Eranda Kumnova Baçi, dhe drejtori për Zhvillim Ekonomik, Ferdinand Kolaj.
Në Ferrara, ata u pritën nga Franceska Savini, drejtoreshë për Marrëdhënie Ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të tjeë të institucioneve lokale që mbulojnë fushat e arsimit, kulturës dhe trashëgimisë.
Gjatë takimeve, delegacioni nga Gjakova prezantoi potencialet kulturore, arsimore dhe ekonomike të qytetit, duke diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit konkret dhe binjakëzimit mes dy komunave.
Palët theksuan rëndësinë e projekteve të përbashkëta në fusha si arsimi, kultura, rinia dhe zhvillimi ekonomik.
Në kuadër të kësaj nisme, pritet që së shpejti të nënshkruhet edhe Pakti i Miqësisë ndërmjet kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, dhe homologut të tij nga Ferrara, Alan Fabbri, hap ky i cili të formalizojë fillimin e procedurave për binjakëzimin mes dy qyteteve.
Theksojmë që Ferrara është një ndër qytetet më të rëndësishme historike të Italisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që nga viti 1995, me rreth 131 mijë banorë dhe shumë ngjashmëri kulturore me Gjakovën.


