Deklarimi që nuk fitoi vëmendjen e duhur
Lidhja e kohëzgjatjes së misionit të EULEX-it me integrimin e Kosovës në BE, e bën këtë mision jo vetëm të shkëputur nga zhvillimet e brendshme, por edhe të shkëputur nga praktikat demokratike
Derisa Evropa e Amerika po shënonte dy dekada që nga rënia e Murit të Berlinit, në një paraqitje publike një zyrtar i Komisionit Evropian premtoi se BE-ja do të jetë në Kosovë derisa Kosova të futet në BE. Deklarimi i këtij zyrtari të Zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë nuk fitoi ndonjë vëmendje në Prishtinën e zhytur në një javë moti të zymtë e me shi. Në fakt ky deklarim më erdhi si një vulosje e zymtësisë së motit që shndërron rrugët e Prishtinës në lumenj duke qenë se reshjet nuk përpihen dot nga fytet e ngushtë të kanalizimeve të ujërave natyrore që ndonjëherë përzihen me ujërat e zeza. Ky deklarim i këtij zyrtari u bë për të na shkaktuar optimizëm apo pesimizëm?
Pesimizëm duket të ketë mjaftë në eterin e Prishtinës të mbushur me dhimbjen për mbytjen dhe zhdukjen e kosovarëve në lumin Tisa, me fushatën e përzier me ekon e alarmit për gripin e derrave. Pra, ky deklarim i këtij zyrtarit të BE-së do e ketë pasur për qellim nxitjen e një optimizmi, gjithsesi. Çfarë emocioni më shkaktoi deklarimi se misioni i BE-së do zgjasë për aq sa Kosova do jetë jashtë BE-së? Ajo që ndjeva në ktë moment mund të krahasohet lirisht me gjendjen e njeriut që ecën në moçalin që nuk ia shef fundin.
Ky deklarim për mua do të thotë një periudhë të gjatë të jetës nën monitorim, me përjetimet që këtyre ditëve po përshkruhen nga qytetarët e Berlinit Lindor, qytetarëve që jetuan nën saçin e mbikëqyrësit të jetës së tyre nga Big Brother. Mbikëqyrjet, sado që mund të kenë natyrë të ndryshme, kanë një gjë të përbashkët - ndjenjën se ti duhet të sillesh në një mënyrë të caktuar, ta kesh para sysh çka i pëlqen mbikëqyrësit, e çka jo.
Deklarimi i zyrtarit të Komisionit Evropian në Prishtinë, edhe për një tjetër arsye më shkaktoi ndjenjën e të ecurit në moçal. Në të vërtet një ndjenjë e ngjashme më ka kapluar sa herë që kam studiuar ose kam dëgjuar për mekanizmin e vendim-marrjes në BE. Është vërtet një labirint, shpesh pa dalje. Misioni i BE-së në Kosovë është futur në bazë të Rezolutës 1244 pas një Qëndrimi të përbashkët të vendeve të BE-së që mban pozicion neutral ndaj statusit.
Kosova nuk mund të futet në BE pa përfundimin e misionit të BE-së në gjyqësi e polici duke qenë se në BE deri sot janë pranuar vetëm shtete të pavarura dhe sovrane. BE-ja akoma funksionon si një organizatë ndër-qeveritare. Pra për t’u futur Kosova në këtë organizatë kërkohet të ndodhin njëra nga këto dy gjëra: Kosova të ketë njohje të mjaftueshme për të qenë anëtare e OKB-së që pastaj do të ndikonte vendet e BE-së që nuk e kanë pranuar pavarësinë që ta bëjnë këtë, një ditë që duket të jetë shumë e largët, ose që pavarësisht nga ajo që ndodhë në OKB, Kosova të pranohet nga të gjitha shtetet e BE-së në mënyrë që të ketë një konsensus brenda kësaj organizate për pranimin e saj.
Deklarimi i zyrtarit të Komisionit Evropian në Prishtinë se misioni i BE-së në Kosovë do zgjasë derisa Kosova të futet në BE s’ka se si të mos shkaktojë pesimizëm edhe për shumë arsye tjera. Së pari është kontradiktor, duke qenë se për t’u futur në BE një shtet duhet të jetë i pavarur dhe sovran, e një shtet me një mision të huaj në gjyqësi e polici s’mund të jetë sovran e as i pavarur. Me nënshkrimin e Protokolleve mes EULEX-it dhe Serbisë është parë se ky mision mund të zgjerojë ingerencat sado që edhe ashtu ka marrë një pjesë të sovranitetit qysh në përcaktimin e bazës ligjore të saj duke qenë se nuk e njef Kushtetutën e Kosovës, por funksionon mbi bazën e Rezolutës 1244 dhe atë që është vështirë të definohet, “kornizën e gjerë ligjore”.
Sfidat që kaloi BE-ja kur dështoi në ratifikimin e të ashtuquajturës Kushtetutë të saj dhe ngërçi që përshkoi atë me kalimin e Traktatit të Lisbonës jep pak shpresa se shtetet e BE-së po përafrohen në një union të vërtet. Kjo e bën këtë organizatë ndër-qeveritare hektike dhe të paqëndrueshme, gjë që praktikisht minon mundësinë e konsensusit për ta pranuar një shtet sui-generis, me një mision të BE-së brenda. Çka nëse Kosova nuk arrin të pranohet anëtare e OKB-së edhe për shumë vite që vijnë? Nëse në BE nuk ka ndodhur më parë të integrohen vende që nuk janë tërësisht sovrane e të pavarura, a mundet që integrimi i Kosovës të kërkojë ndryshimin e traktateve mbi të cilat funksionon BE-ja? Nëse po, sa është e mundur kjo?
Ky deklarim më shkakton pesimizëm edhe për arsye të ashtuquajtura strukturore. Nëse ne do të jemi subjekt i një misioni kaq të fortë të huaj, praktikisht neve nuk do të na lejohet të zhvillojmë kapacitete vetanake, duke qenë se kapacitetet nuk krijohen vetëm me ligje por edhe me praktikë. Sikundër në kohën e UNMIK-ut, institucionet e Kosovës janë më shumë absorbues të politikave, ligjeve e normave të ndërkombëtarëve sesa krijues të tyre. Vetë Qeveria e Kosovës si subjekt akoma funksionon në bazë të rregulloreve të UNMIK-ut. Mungesa e mundësisë për të vepruar si shtet shkakton hendikepe serioze në ndërtimin e kapaciteteve dhe nga këtej del se misioni i BE-së në Kosovë do ta afektojë negativisht përgatitjen e Kosovës për integrime duke qenë se ndërtimi i kapaciteteve për nxjerrjen e zbatimin e politikave së bashku me reformën e administratë janë dy nga kushtet themelore të përgatitjes së një vendi për integrim.
Në fund, deklarimi i këtij zyrtari të Komisionit Evropian se misioni i EULEX-it do të zgjasë për aq kohë sa Kosova të jetë jashtë BE-së, do të thotë se ky mision nuk lidhet me zhvillimet e brendshme dhe nuk e ka për qëllim ta ngrisë Kosovën për të qëndruar në këmbë të veta, por thjesht ka për qëllim që atë ta mbajë nën kontroll për aq kohë sa nuk e fut brenda vetes. Kjo nxjerr në pah një filozofi krejtësisht tjetër prej asaj që është proklamuar nga ky mision, i cili ka ardhur këtu për një fazë tranzitore.
Lidhja e kohëzgjatjes së misionit të EULEX-it me integrimin e Kosovës në BE e bën këtë mision jo vetëm të shkëputur nga zhvillimet e brendshme, por edhe të shkëputur nga praktikat demokratike. Integrimi i një vendi në BE para së gjithash varet nga vetë BE-ja kurse EULEX-i ka funksione esenciale qeverisëse në Kosovë, qeverisë me degën e drejtësisë. Në këtë mënyrë për mbarimin e këtij misioni edhe njëherë vërtetohet se nuk do të pyeten qytetarët për të cilët është thënë se ka ardhur ky mision në Kosovë, por sërish do të pyeten anëtaret e BE-së përfshirë këtu edhe ata që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.
Në kohën kur festohet njëzet vjetori i rrënimit të murit të Berlinit që shënon përmbushjen e vullnetit të qytetarëve evropian që përkundër mbikëqyrjes së “Big Brother” dëgjonin këngën e Saxonit “Për kë bien kambanat”, kosovarëve u bëhet e ditur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë me ta. Ironia shtohet kur kihet para sysh se pikërisht zyrtari i Komisionit Evropian që na komunikoi se misioni i EULEX-it nuk mbaron para futjes së Kosovës në BE është gjerman.
(Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!)
Botuar në “Koha ditore”


