“Dekalogu” i Agron Shalës, pasuri e kulturës sonë...
Parathënia e librit të Agron Shalës, “Dekalogu (nga Moisiu deri te Kieślowski)”, botim i Sh. B. “Armagedoni”
Regjisori polak Krzysztof Kieślowski (1941-1996) është një prej emrave më të shquar të kinematografisë botërore. Megjithatë, në mesin tonë artistik nuk del të jetë edhe aq i njohur. Në mesin e adhuruesve të filmit e të publikut të gjerë shqiptar, për Kieślowskin dihet edhe më pak. Prandaj, libri i Agron Shalës që keni në duar - Dekalogu (nga Moisiu deri te Kieślowski) - do të duhej ta ndryshonte këtë gjendje.
***
Kieślowski është ngjitur në nivelet më të larta të kinematografisë botërore, me dhjetë episodet e serisë Dekalogu, që janë analizuar në mënyrë të thellë e mjaft profesionale në këtë libër. Kur shikohet Dekalogu i Kieślowskit dhe kur lexohet libri i Shalës, kuptohet thënia se “thjeshtësia është madhështi”.
Në punën e Kieślowskit s’ka gjë të komplikuar, të pakuptueshme apo të pavend. Ai na flet për njeriun e rëndomtë, për hallet e natyrën e tij në një ambient dhe në një kohë të caktuar. Ambienti është një lagje me blloqe të banesave në Varshavë, pra në kryeqytetin e Polonisë, kurse koha kur është realizuar seria paraqet etapën e fundit të sistemit komunist në Evropë.
Vendi dhe koha shpërfaqin një dallim në mes të Lindjes komuniste dhe të Perëndimit kapitalist. Teksa nëpër komplekset e banesave kolektive, në Perëndim jetojnë kryesisht ata nga klasa punëtore apo shtresa e ulët e shoqërisë, në Lindje - si në rastin e Dekalogut të Kieślowskit - aty jetonin profesionistët apo shtresa e mesme (edhe pse, në komunizëm, klasat shoqërore nuk është dashur fare të ekzistonin).
Nga ky aspekt duhet t’i kërkojmë ne ngjashmëritë mes jetesës në Poloninë e dikurshme dhe asaj që kemi kaluar ne në sistemin komunist. Ngjashmëri ka, por dallimet janë më të mëdha. Jeta shoqërore-kulturore në Poloni ka qenë më e pasur sesa ajo e jona. Në fakt, në aspektin kulturor Polonia ka qëndruar më mirë se të gjitha vendet e tjera të ish-Bllokut lindor. Por, edhe në aspektin material, meqë industria e saj nuk ishte për t’u nënçmuar. Pastaj vjen në shprehje shpërndarja e të mirave materiale, që në Poloni ishte e rregulluar dhe e zbatuar më mirë se në shtetet e tjera simotra - për nga ideologjia dhe politika ... Ndryshe, po sikur Polonia të mos kishte nivel të duhur kulturor, industrial dhe një të kaluar të begatshme, s’do ta nxirrte një regjisor si Kieślowski.
Kieślowski nuk e kishte të lehtë veprimtarinë gjatë komunizmit, por intelektualët e Polonisë gjithmonë e kanë gjetur një mënyrë për ta sfiduar sistemin e për të protestuar kundër rendit sundues shoqëror e politik. Kjo është për t’ua pasur lakmi. Ndaj, në këtë aspekt, nuk mund ta harrojmë faktin tjetër se ishin polakët ata që nëpërmjet lëvizjes Solidarność (Solidariteti) kanë nisur përmbysjen e komunizmit në vendin e tyre, që pastaj pati jehonë për ndryshime demokratike edhe në shtetet e tjera komuniste të Evropës lindore. Në këtë lëvizje ka kontribuar edhe Kieślowski.
***
Njeriu i Kieślowskit është human; ai shqetësohet nga mosrespektimi i normave njerëzore; ballafaqohet me problemet e përditshmërisë që ai synon t’i zgjidhë sipas parimeve që kërkojnë edhe sakrifica. Natyrisht, në çdo vepër ndikon karakteri personal i artistit. Kjo vërehet edhe në serinë që diskutohet në këtë libër. Për Kieślowskin mund të thuhet se ishte ateist dhe se në krejt veprat e tij kishte qëndrime neutrale. Megjithatë, veprimtaria e tij, sidomos me Dekalogun, nuk mund të interpretohet pa i marrë parasysh edhe kontekstet politike dhe religjioze. Në fakt, i tërë Dekalogu është përbrenda kornizës politike dhe religjioze. Kjo është mohuar nga Kieślowski, por e vërteta është se politika e impononte mënyrën e jetesës së personazheve të tij. Në rastin konkret, te politika janë edhe arsyet se pse njerëzit janë vendosur të jetojnë nëpër banesa masive kolektive; politika është arsyeja se pse këta njerëz nuk komunikojnë sa duhet mes vete apo pse komunikojnë në mënyrën siç paraqitet te Dekalogu.
Problemet e këtyre personazheve janë universale meqë hasen nëpër vendet e tjera. Pra, tejkalohet koha dhe hapësira e realizimit që u cek më lart. Por, a janë universale edhe mënyrat se si njerëzit e vendeve të tjera i zgjidhin këto probleme?
Kjo na kthen te parimi i religjionit të cilit Agron Shala i kushton kujdesin e duhur. Në fakt, nuk ka si të jetë ndryshe, meqë me Dekalog nënkuptohen Dhjetë Urdhrat nga Dhiata e Vjetër - pra nga libri i shenjtë i judaizmit. Siç dihet dhe siç shohim në këtë libër, këto urdhra paraqiten në formë tjetër edhe në Dhiatën e Re (libri i shenjtë i të krishterëve), si dhe në Kuran (librin e shenjtë të myslimanëve). Pra, kemi të bëjmë me një kulturë universale, ku këto urdhra e paraqesin bazën e moralit të civilizimit edhe të ditëve të sotme. Prandaj, pavarësisht prej bindjeve personale, Kieślowski s’ka qenë i krisur për ta mohuar rëndësinë e religjionit, të cilin komunizmi e luftonte me propaganda shurdhuese dhe me metoda të ashpra. Kështu, interpretimi i Urdhrave biblike nga ana e tij mund të merret si kundërshtim i komunizmit. Duke e zbatuar - mbase si në heshtje - edhe kundërshtimin dialektik, Kieślowski na bën, po ashtu me dije, se komunizmi ishte amoral.
***
Janë të shumta simbolikat religjioze që ka zbatuar Kieślowski te Dekalogu. P. sh., ndërtesat e zgjedhura për xhirime, sipas disa kritikëve, ngjajnë me Tabelat e Dhjetë Urdhrave që Moisiu i merr nga Zoti. Prania e Papa Gjon Palit II, nëpër fotografi të skenave të disa prej episodeve, është një tjetër simbolikë që ka luajtur rol në mobilizimin e vetëdijes polake kundër sistemit që e cilësonte si hegjemoni ruse. Simbolikat janë kudo të pranishme, por ngjarjet që trajton Dekalogu kanë të bëjnë me atë se çfarë mund të ndodhë nëse njerëzit i shkelin Dhjetë Urdhrat? Cilat janë pastaj pasojat për njerëzit e shoqërive moderne shekullare?
Bota ka ecur para, por morali i bazuar te religjioni zë prore vend brenda nesh - në vetëdijen e ndërdijen tonë. Kjo është vula e zhvillimit tonë njerëzor. Dhe, kjo është arsyeja se pse Agron Shala, që nga fillimi i librit të tij, i kushton rëndësi të madhe shpjegimit të religjionit dhe të ndërlidhjes së tij me këto aspekte. Aspekti religjioz vërehet edhe në shoshitjen e dhjetë episodeve të Dekalogut, si dhe te reagimet e pasojat që shkeljet e urdhrave përkatëse mund të kenë në jetën e individëve.
***
Vërtet është mbresëlënës shpjegimi që ky libër ia bën Dekalogut, si dhe Dekalogut. Agron Shala, me njohuritë e tij të mëdha për Kieślowskin, si dhe për veprën e tij, e ka krijuar një argument kritik dhe e ka zbatuar atë në një shtrirje të duhur strukturore të librit, duke e kaluar lëndën nëpër filtrat e nevojshëm artistikë, historikë, psiko-socialë e filozofikë. Ky libër na mëson për Kieślowskin, për krijimtarinë e tij, për kinematografinë polake dhe atë botërore, e për shumë gjëra të tjera. Pra, paraqet një pasuri të kulturës sonë, për shkak se është kulturë kur dimë për të tjerët. Është kulturë kur e vlerësojmë dhe e respektojmë punën dhe kulturën e të tjerëve, sidomos nëse është madhështore sikurse ajo e Kieślowskit.


