Please enter at least 3 characters.

Decentralizimi dhe autonomia e shkollave publike, si parakusht për rritjen e cilësisë në arsim

Jeta Dida Bujari

Jeta Dida Bujari

Sa herë që publikohen raportet ndërkombëtare të vlerësimit, siç është rasti me testin PISA, shoqëria jonë përfshihet në një debat të ashpër mbi cilësinë e arsimit. Megjithatë, ky debat shpesh mbetet sipërfaqësor, duke u fokusuar te pasojat dhe jo te shkaqet burimore të krizës në sistemin tonë arsimor parauniversitar.

Një nga defektet më të mëdha, i cili anashkalohet vazhdimisht, është legjislacioni aktual që rregullon menaxhimin e shkollave publike në Kosovë.

Sistemi ynë funksionon mbi bazën e një legjislacioni që i zhvesh nga kompetencat ata që janë në vijën e parë të ballafaqimit me procesin mësimor: drejtorin e shkollës dhe Këshillin e Arsimtarëve.

Sot, në shkollat publike të Kosovës, përballemi me një monopolizim të skajshëm të vendimmarrjes nga ana e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA). Konkretisht:

- Kompetencat financiare dhe buxheti i shkollës menaxhohen jashtë saj.

- Zgjedhja e stafit arsimor bëhet ekskluzivisht nga DKA-të, duke lënë drejtorinë e shkollës pa asnjë ndikim real në përzgjedhjen e ekipit me të cilin punon.

- Zgjedhja e vetë drejtorit të Shkollës është plotësisht në kompetencë të qytetit/Komunës, çka shpesh hap dyert për politizim lokal të pozitave udhëheqëse.

Kjo gjendje përbën një paradoks të madh: Ne i kërkojmë drejtorit të shkollës të japë llogari për cilësinë e mësimdhënies, performancën e nxënësve dhe disiplinën, ndërkohë që ai apo ajo nuk ka fuqi ligjore as të menaxhojë fondet për nevojat bazike të institucionit, dhe as të zgjedhë mësimdhënësit. Kjo mungesë totale e autonomisë shkakton çrregullime të vazhdueshme, pamundëson planifikimin strategjik të institucionit dhe e degradon cilësinë e menaxhimit.

Nëse vërtet duam shkolla funksionale, kompetente dhe rritje të standardit arsimor, ky model i vjetruar duhet të marrë fund. Menaxhimi me bazë në shkollë (School-Based Management), i cili u jep autonomi dhe buxhet vetë shkollave bashkë me detyrimin për llogaridhënie të rreptë, është një standard i dëshmuar në vendet me arsim të zhvilluar.

Për t'i hapur rrugë këtij transformimi të domosdoshëm, hapi i parë është ndryshimi i ligjit. Është koha që institucionet ligjvënëse, dhe në veçanti Komisioni Parlamentar për Arsim, të reflektojnë mbi këto fakte dhe të iniciojnë urgjentisht rishikimin e kornizës ligjore. Legjislacioni duhet të rishkruhet për ta kthyer fuqinë, fondet dhe vendimmarrjen aty ku e kanë vendin: brenda mureve të shkollës.

Pa i dhënë pavarësi profesionale e menaxheriale shkollës, çdo përpjekje tjetër për të rritur cilësinë në arsim do të mbetet thjesht një premtim i parealizuar.