Çfarë lidershipi politik kemi?
Sipas Kardinalit Rishelje, ”...të qënurit udhëheqës, nuk do të thotë të jesh luan apo dhelpër, por njeri”.
Shumëkush e sheh pushtetin si një element që i shërben dhe që nuk i shërbehet. Një mentalitet i tillë është më tepër sesa i gabuar dhe i mbrapshtë. Kjo për faktin, se kjo gjë i hap rrugë shumë perversiteteve politike dhe korrupsionit shpirtëror dhe moral për këdo që është në pushtet. A ekziston besueshmëria, se vërtet liderët tanë politik, kanë një përkushtim dhe mbi te gjitha vizion, që me të përfunduar mandati do të mbahen mend për projekte apo virtyte. Një lider pa vizion, është i “vdekur”. Po ashtu edhe filozofia e tij. Politika nuk është punë me “mik apo me familjarë”, “Politika është punë me vlera”. Punë me vlera do të thotë: ballafaqim i tyre. Në demokraci vlerat janë të patjetërsueshme. Si të tilla ato janë gjithnjë në garë. Vlerat më të shtrenjta janë ato që i mbijetojnë këtij sistemi të pamëshirshëm. Kemi shumë pak lider ne vendin tonë, te cilëve u kanë mbijetuar vlerat.
Por një nga vështirësitë themelore të lidërve politik , është edhe dallimi ndërmjet dëshirës për t’u njohur individualisht dhe avancimit të grupit që përfaqëson për të arritur synimin politik. Ata sot shpeshherë sakrifikojnë interesat grupore për qëllime individuale. Ne mendjet e tyre, ekziston se: “grupi shërben për arritjen e qëllimeve të mia”. Një ndër dallimet e një politikani të aftë është pikërisht: tërheqja individuale dhe nxjerrja në pah e punës në grup. Një udhëheqës i mençur arrin të “manipulojë” edhe me këtë veçori. Edhe gjatë punës në grup ai arrin të vihet në dukje, jo nëpërmjet vetes, por nga të tjerët të cilët falë punës dhe zellit të tij e veçojnë nga vetja dhe i shkojnë nga pas.
Është thuajse e pamundur që një udhëheqës politik të bëjë për vete një turmë të tërë në demokraci. Për këtë arsye, investimi që duhet bërë, nuk bëhet tek turma, por tek njerëz të caktuar me ndikim të posaçëm, intelektual apo afarist, në rrethet e gjëra shoqërore dhe mbi të gjitha në media. Këta njerëz në fjalë të tjera quhen edhe “Mobilizuesit e opinionit publik” për një çështje të caktuar.
Në ditët tona kriza e udhëheqjes politike është pasojë e mediokritetit dhe e papërgjegjshmërisë të njerëzve që kanë marrë drejtimin e njerëzve. Jemi dëshmitarë se si merren vendimet në parti politike apo ndonjë institucion tjetër politik, vendime të cilat edhe bashkëpunëtoret me të ngushtë i marrin vesh, vetëm përmes mediave, e lere me forumet, apo grupet e interesit. Sot “sundimtarët” tanë, nuk janë asnjëherë mirënjohës njerëzve që zbulojnë gabimet e tyre në kohën e duhur. Sundimtaret tanë nuk i duan asnjëherë, ata që kanë qenë dëshmitarë të dobësisë së tyre.
Ne po ashtu nuk e njohim as: “institucionin e dorëheqjes”, sepse dorëheqja është virtyt, që lartëson një politikan. Dorëheqja te ne duhet të jetë e detyruar nga të tjerët e asnjëherë nga vetvetja në çastin e duhur në mënyrë dhe që t’i njihet si meritë.
Duke patur këtë lloj klime politike dhe ketë soj politikanesh, kemi shume pak intelektual qe po merren me politikë, e mos te flasim për gjeneratat e reja qe kanë përfunduar shkolla të mira neper vende të ndryshme të botes. Edhe ata rinj qe vendosin t’i hyjnë këtij zanati, ose janë të nevojshëm për punë ose ndjekin rrugën e servilitetit, servilitet i cili në rrethana të zakonshme është i pa shpjegueshme.
Intelektualet, luftën politike e bëjnë përmes ideve dhe e kanë parim themelor. Është kjo lloj lufte që i bene ata të pa barabartë ne mes të një grumbulli njerëzish, që as vet nuk e din se pse janë aty. Të qënurit intelektual në politikë shpesh herë ka patur dizavantazhe, veçanërisht në shoqëritë e prapambetura apo në vendet që janë në tranzicion e sipër. Për një intelektual nuk ka gjë më të keqe sesa ballafaqimi i ideve për njerëz që nuk kanë ide, apo kujtojnë qe “besnikëria verbërore ndaj liderit është vet ideja. Kjo për pasojë nuk i jep mundësinë intelektualit që të freskojë idetë dhe mënyrat e tij për të ndihmuar të tjerët të ndriçohen nga dija e tij. Një udhëheqës intelektual, “gjithmonë mendon mbi mundësitë e shmangies së konfliktit: ndërmjet pushtetit dhe atyre që nuk janë në pushtet”.
Opinioni publik, si mekanizmi skanues i udhëheqësve shpesh gabon, pasi di gjithçka rreth tyre, por nuk di asgjë rreth mënyrës së udhëheqjes se tyre.


