Please enter at least 3 characters.

Bolonja dhe edukimi universitar

Termi “Reforma” përkatësisht “Procesi i Bolonjës” tashmë, në një masë të madhe kanë përfshirë fushën e arsimit në Kosovë. Këto terme, gjithashtu, në një shkallë të lartë përdoren nëpër fakultetet e Universitetit të Prishtinës, duke asocuar në reformimin e sistemit arsimor, apo sistemit të studimeve.

Mirëpo, sa kuptohet drejtë dhe qartë Procesi i Bolonjës, dhe tërë vizioni i këtij procesi reformues, në mesin e mësimdhënësve dhe studentëve, në Fakultetin e Edukimit? Pa dyshim, i gjithë menaxhmenti i UP-së, në bashkëpunim me strukturat udhëheqëse të Ministrisë së Shkencës, të Arsimit dhe të Teknologjisë, kryesisht me departamentet me qasje të drejtpërdrejtë në reformimin e sistemit arsimor kanë bërë mjaft për t’u kuptuar sa më drejtë qëllimi i Procesit të Bolonjës, por mbetet edhe shumë angazhim drejt përvetësimit sa më të drejtë të informatave rreth Bolonjës, në mesin e stafit akademik dhe studentëve.

Rreth Procesit të Bolonjës

Qëllimi i Procesit të Bolonjës është për të krijuar Zonën e Arsimit të Lartë Evropian duke i bërë standardet për diplomë akademike dhe standardet e sigurimit të cilësisë më të krahasueshme dhe më kompatibile në tërë Evropën. Kjo marrëveshje është nënshkruar në qershor të vitit 1999 nga 29 shtete evropiane. Sot numri i shteteve, të përfshira arrin në 46.

Implementimi i Procesit të Bolonjës në Kosovë, ka filluar në vitin 2001/2002 dhe prej asaj kohe Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, kanë bërë përpjekje për zbatimin e strategjive të Bolonjës.

Zbatimi i objektivave të Bolonjës në Fakultetin e Edukimit

Vizioni i Fakultetit të Edukimit, është, përgatitja e mësimdhënësve, kryekëput mësimdhënësve të 3 kategorive: edukimit parashkollor, fillor dhe lëndor dhe është ndër fakultetet që dalëngadalë po përvetëson strategjitë e Procesit të Bolonjës, duke i konsideruar ato si pjesë e studimeve që kanë qëllim studentin si prioritet të sistemit të studimit.

Në një konferencë dy ditore, të organizuar nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Edukimit, konkretisht Mbështetja Finlandeze për Zhvillim të Sektorit të Arsimit II, me temë: “Zhvillimi profesional në arsimin e lartë”, Bolonja u konsiderua nga pjesëmarrësit sikur regjimi i vizës së Shengenit për anëtarët e vendeve kandidate për Bashkimin Evropian, duke u parë si një teori, e cila do të krahasonte kalimin e lirë të studentëve nga një institucion i Arsimit të Lartë në një tjetër.

Fakulteti i Edukimit, sot, pas 9 vitesh nga fillimi i implementimit të Bolonjës, ka avancuar relativisht mirë, në përvetësimin e objektivave të Bolonjës. Por, konsideroj se edhe më tutje ka mangësi, për shkak të shumë vështirësive që ekzistojnë në zbatimin e reformave.

Për shkak të nevojës së industrisë, për të krijuar kuadër të arsimit profesional për punësim, Bolonja, në fillim ka paraparë vetëm ciklin e studimeve 3 vjeçare, për të arritur titullin ‘bachellor’. Mirëpo ka qenë e pamundur që të punësohen të gjithë. Kështu, edhe në Fakultetin e Edukimit ofrohen studime themelore 4 vjeçare, sepse konsiderohet se punonjësit e arsimit, më saktësisht mësimdhënësit, nuk mund të konsiderohen të kualifikuar për punë të pavarur me nxënës nëpër shkolla, vetëm me studime tri vjeçare. Në këtë mënyrë, në këtë fakultet, aplikohet cikli i studimeve 4 vjeçare, me gjithsej 240 kredi apo ECTS.

Niveli i dytë i studimeve, apo niveli MASTER, në këtë fakultet nuk është në zbatueshmëri, deri sa së fundmi është fituar projekti Tempus për dy programe për studime ‘master’ dhe pritet të funksionalizohen në të ardhmen. Gjithashtu, edhe sa i përket aspektit të zbatimit të mobilitetit të stafit akademik dhe të studentëve, për studime jashtë vendit, sipas zyrtarëve të këtij fakulteti është i zbatueshëm në mënyrë të theksuar, si rezultat i metodologjisë së punës.

Lidhur me ECTS-të, të cilat paraqesin ngarkesën e punës së studentit, rolin dhe aplikimin e tyre, në Fakultetin e Edukimit, mungon informimi i mjaftueshëm i studentëve, përderisa edhe në mesin e stafit akademik ekzistojnë dilema.

Në anën tjetër, edhe përpjekja për të hartuar kurrikulat mësimore sipas Bolonjës ekziston, por pritshmëritë nuk janë ende në nivelin e duhur. Kjo nënkupton se, nevojitet punë dhe angazhim edhe në të ardhmen për funksionalizimin e plotë të objektivave të Bolonjës, duke përmendur vështirësitë, veçanërisht në:
- aspektin menaxherial,
- mungesë të mbështetjes financiare,
- mungesë të informatave të plota rreth kuptimit të drejtë të Bolonjës në mesin e stafit akademik dhe në mesin e studentëve.

Kur jemi te mungesa e kuptimit të drejtë të dobive të Bolonjës, një arsye për këtë do të ishte edhe frika e pranishme në mesin e stafit akademik, dhe në këtë kontekst, hezitimi për të pranuar ndryshimet rrënjësore.

Pra, në mungesë të informimit do të duhej të organizohen, sa më shumë debate për studentë dhe të aplikohen strategji drejt nxitjes së tyre për pjesëmarrje në këto debate, duke ndihmuar që ata të kuptonin në formë sa më konstruktive rolin e Bolonjës.

Mirëpo, nuk duhet mohuar edhe puna dhe energjia e shpenzuar e stafit menaxhues dhe atij akademik për aplikueshmërinë e plotë të standardeve të Bolonjës, në këtë fakultet dhe në tërë Universitetin e Prishtinës.

(Autorja studion master në Fakultetin Filozofik)