Blerand Stavileci rizgjidhet kryetar i Sigal Prishtinës
Stavileci, njëherësh ministër i Bujqësisë, premtoi unitet në klub, punë më të madhe me gjeneratat e reja, kushte më të mira për bardhekaltrit dhe pjesëmarrje dinjitoze në Ligën Ballkanike.
Blerand Stavileci do ta udhëheq Sigal Prishtinën në katër vjetët e ardhshëm. Ish basketbollistit kosovar, aktualisht ministër i Bujqësisë në Republikën e Kosovës, vazhdimin e postit të kryetarit ia besuan 34 nga 35 delegatët e pranishëm në Kuvendin Zgjedhor të klubit, të mbajtur të martën në Prishtinë.
Vetëm një delegat abstenoi, ndërsa asnjë nuk ishte kundër, në zgjedhjen e Stavilecit, i cili nuk pati fare kundër kandidat.
Ai premtoi se klubi prishtinas do t’i bëjë të gjitha përgatitjet për pjesëmarrje të denjë në Ligën Ballkanike, ndërsa në të ardhmen në ligat edhe më të forta evropiane. /Telegrafi/


