Beqiri: Votoni për Prishtinën që do t’i ngjajë ëndrrave tona
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Alternativa, Merkur Beqiri ka votuar sot në zgjedhjet lokale, gjersa ftoi qytetarët që të votojnë për Prishtinën që do t’i ngjajë ëndrrave.
Ai tha se votoi në Fakultetin Teknik, aty ku nisi rrugëtimin profesional.
“Sot votova. Në të njëjtin vend ku, shumë vite më parë, nisa rrugëtimin tim profesional — në Fakultetin Teknik të Prishtinës.
Sot, jo si student, por si qytetar që beson në dijen, në punën e ndershme dhe në fuqinë e votës për ta ndryshuar realitetin tonë. Çdo hap nëpër korridoret e këtij fakulteti më solli kujtime të rinisë, të shpresës dhe të ëndrrës për një Kosovë që ndërtohet me dije, jo me mashtrime.
Këtë ndjenjë e mora me vete edhe në kutinë e votimit — ndjenjën se ndryshimi fillon nga secili prej nesh. Votoni me zemër, votoni me mendje. Për Prishtinën që do t’i ngjajë ëndrrave tona”, shkruan ai. /Telegrafi/


