Please enter at least 3 characters.

Bajrami: Edhe hemodializën e kanë lënë pa material, largimi i Kurtit është urgjencë qytetare

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar sot lidhur me raportimet se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës dhe qendrat tjera janë lënë pa material të domosdoshëm për procesin e hemodializës.

Bajrami në një postim në Facebook shkruan se largimi i qeverisjes Kurti është urgjencë qytetare.

“Edhe hemodializën e kanë lënë pa material - kategorinë pothuajse më të ndjeshme të shoqërisë e kanë lënë nën mëshirën e fatit.

Kurti që ka marrë vendim për tender sekret të rezervave shtetërore, e që i ka zhvillu negociatat në restorantin 'Bukë e Zemër' të Ridvan Muharremit, i njëjti që ka leju vartësit e tij me i lidhë mbi 2400 kontrata njëburimore në vlerë prej 270 milionë Euro, po ky që ka leju që energjia e importuar gjatë viteve të fundit, në shumicën e rasteve, blihet jo në bursë, jo përmes ankandeve, por direkt nga NOA, që disa javë po raportohet që e ka lënë SHSKUK dhe qendrat e tjera pa material të domosdoshëm për procesin e hemodializës”, tha ajo.

Sipas saj, sigurt arsyetimet janë te procedurat e prokurimit.

“Qe pse unë dhe gjithë ata që e duan këtë shtet e këtë Republikë e kemi problem Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen sepse për ta nuk është me rëndësi shteti nuk është me rendësi qytetari, ata qytetarët i shohin vota e shtetin e përdorin për t'i mbushur xhepat e tyre. Largimi i tyre nga keqqeversija është urgjencë qytetare - sa me parë aq më mirë”, tha ajo. /Telegrafi/