Autostrada vija-vija...
Është më shumë se e natyrshme se investimi gjigant prej rreth shtatëqind milionë eurosh për ndërtimin e autostradës Morinë-Prishtinë-Merdare, jo vetëm këtyre ditëve, javëve apo muajve, por edhe për disa vitet e ardhshme do të jetë kryefjalë e politikës kosovare, të pozitës dhe opozitës, e mediave, e analisteve, por edhe e opinionit të gjerë publik. Në të vërtetë ka vite e dekada që shqiptarët në vizionin e tyre kishin projektuar të kenë një korridor, i cili do t’i faktorizonte edhe me shumë në këtë pjesë të Evropës për ta tejkaluar defaktorizimin shekullor dhe të padrejtë që kishin. Nëse deri para pak vitesh një ideal i tillë është parë vetëm diku në horizont , tani këtij synimi shekullor po i numërohen ditët dhe nga qytetarët ka filluar të ndjehet e shijohet.
Infrastruktura aktuale rrugore në Kosovë krahasuar me regjionin ka pamundësuar qasjen në të shumëpërfolurin korridorin tetë, një korridor i cili pas përfundimit të autostradës do t`i hapte rrugë tregut kosovar apo atij shqiptar dhe do ta bënte vendin një pikë gjeo-strategjike e ekonomike në rajon si dhe do ta lidhte atë në mënyrë të drejtpërdrejtë me shumë vende të zhvilluara evropiane.
Nyjat kryesore lidhëse në territorin e Kosovës pa dyshim se do të jenë Prishtina dhe Prizreni, kurse në Shqipëri Tirana, porti i Durrësit dhe ai i Vlorës. Konkretisht autostrada Durrës-Kukës-Morinë-Merdare është edhe korridori i fundit dhe më konkret i integrimit mbarëkombëtar, e cila do ti afrojë shqiptarët me njëri-tjetrin dhe do të jetë arteria kryesore e zhvillimit të tyre ekonomik.
Po të ndalemi në analizën e kërkimit të dimensionit më të rëndësishëm të kësaj vepre, atëherë përparësia e saj kryesore do të ishte integrimi shpirtëror mbarëkombëtar.
Një CV e shkurtër për ndërmarrjen Bechtel – Enka e cila do ta ndërtojë autostradën
Ndërmarrja e cila do te ndërtojë autostradën Morinë-Merdare është një ndërmarrje e përbashkët ndërmjet dy kompanive inxhinierike ndërtimi-prokurimi. Aktivitetin e vet e ka filluar në vitin 1988, kur ato u bashkuan për të ndërtuar autostradën Ankara – Gerede në Turqi e cila edhe sot konsiderohet një prej veprave më të mëdha infrastrukturore në Turqi, për me tepër ka zëra qe ketë projekt inxhinierik e trajtojnë edhe projekt artistik.
Harta e tregut në të cilin kjo ndërmarrje zhvillon veprimtarinë e saj ka një shtrirje të gjerë. Nga viti 1988 e këtej kjo ndërmarrje e përbashkët ka realizuar ose është në proces të implementimit një numër të madh projektesh. Edhe sektorët në të cilët kjo ndërmarrje zhvillon aktivitetin e vet janë të shumtë duke filluar nga infrastruktura publike, energjia, nafta dhe gazi etj. Po përmendim edhe disa vende në të cilat ndërmarrja ka realizuar projekte si, Turqi, Kroaci, Kazakistan etj. Aktualisht, Bechtel – Enka po punon në dy projekte për ndërtim autostradash në Shqipëri dhe Rumani.
Me seli në Fransisko SHBA, Bechtel është një nga sipërmarrjet më të mëdha të të gjithë rruzullit në fushën e projektimit inxhinierik, ndërtimit dhe menaxhimit të projekteve. Që nga themelimi i saj më 1898, ose para 112 viteve, Bechtel ka punuar në më shumë se 23.000 projekte, në 140 vende, në të shtatë kontinentet. Sot të 45.000 punonjësit e Bechtel-it punojnë me klientë, partnerë dhe furnizues në qindra projekte në rreth 50 vende të botës.
Firma Enka Insaat ve Sanayi, me qendër në Stamboll, Turqi, është një nga sipërmarrjet më kryesore në industrinë e ndërtimit në Turqi dhe një nga më të mëdhenjtë në botë. Ajo është shoqëria mëmë e Enka group, që përbëhet nga 37 shoqëri, të cilat ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh, përveç atyre të ndërtimit që ofrohen nga Enka Construction. Enka numëron 55 vjet me projekte të suksesshme ndërtimi në Evropë, Afrikë dhe Azi.
Për të prezantuar më mirë fuqinë financiare dhe menaxheriale të ndërmarrjes po japim një të dhënë. Në vitin 2007, Bechtel u klasifikua për të nëntin vit radhazi kontraktori i parë i Shteteve të Bashkuara nga Engineering News-Record (ENR), një publikim me një besueshmëri shumë të madhe në SHBA për industrinë e ndërtimit, ndërsa Enka u rendit në vendin e 44 në listën e kontraktorëve ndërkombëtarë.
Këtë sukses e kanë shënuar fare pak ndërmarrje jo vetëm të sektorit të ndërtimit dhe inxhinjeringut, por edhe të sektorëve të tjerë. Është reputacion ndërkombëtar i shoqërive partnere Bechtel – Enka i kultivuar me shumë sukses, një angazhim i përbashkët për sigurinë, cilësinë e rezultatit dhe një ndërmarrje ndërkombëtare e specializuar në zbatimin e projekteve madhore që e bëjnë ndërmarrjen e përbashkët Bechtel – Enka një partner kaq të suksesshëm dhe me një kredo të lartë para gjithë investitorëve në të gjitha kontinentet e botës.
Rëndësia shumëdimensionale e autostradës
E shikuar nga këndvështrimi historik, gjeografik, politik,ekonomik, kulturor, por edhe etnik, ndërtimi i kësaj autostrade nuk do të jetë vetëm projekt i cili do te sjell avantazhe ekonomike, por kjo kryevepër do ti kalojë këta kufij dhe do të reflektojë fuqishëm në proceset integruese kombëtare, mbarëkombëtare, regjionale, por edhe evropiane.
Autostrada Durrës-Morinë – Prishtinë- Merdare do të jetë një urë kaluese jo vetëm për Kosovën por për gjithë regjionin në përgjithësi dhe në skicat – hartat e Evropës gjithashtu do të jetë një pikë e rëndësishme referimi. Rëndësia ekonomike dhe strategjike e kësaj vepre qëndron në faktin që kjo rrugë lidh në mënyrë direkte tregjet e Evropës Jug-lindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare nëpërmjet portit të Durrësit.
Për tri vite sa do të zgjasin punimet në autostradë do të punësohen mbi 4.000 qytetarë nga Kosova , do të angazhohen me dhjetëra ndërmarrje kosovare si nënkontraktorë. Gjithashtu është një pritshmëri reale se më shumë se gjysma e mjeteve financiare të planifikuara për ndërtimin e kësaj autostrade do të ngelen prapë më Kosovë. Autostrada Morinë-Prishtinë-Merdare, ka një gjatësi prej 117 kilometrash. Traseja e autostradës parashihet të kalojë në tetë komuna dhe me asfalt do të mbulohen 1.062 hektarë tokë.
Dy vjet pas shpalljes se Pavarësisë së Kosovës, kjo vepër gjigante i jep një dimension të ri Kosovës. Shteti më i ri në botë do të jetë pjesë shumë e rëndësishme e korridorit tetë. Mbi shtatë milion shqiptarë do të kenë një arterie të standardeve evropiane nëpër të cilën lehtësisht dhe kualitativisht do të qarkullojnë mallrat, idetë dhe kapitali. Kjo mundësi është treguesi më i mirë për një fillim dhe rritje sa më të mbarë ekonomike për shtetin e sapolindur. Sot mallrat nga vendet e Evropës Jug-lindore dhe asaj qendrore drejt perëndimit qarkullojnë nëpër rrugë të tjera , kurse pas përfundimit të autostradës është më shumë se racionale dhe ekonomike se në të shumtën e rasteve do të preferojnë Kosovën si urë për dërgimin e tyre drejt brigjeve të Adriatikut.
Përveç epërsisë apo avantazhit ekonomik që krijon ndërmjet dy vendeve, nëpërmjet lëvizshmërisë së mallrave, kjo rrugë i jep përparësi edhe lëvizjes së njerëzve në një afat kohor më të shkurtër dhe në një fluks më të madh. Nëse numri i kosovarëve që kanë lëvizur ne relacionin Kosovë–Shqipëri gjatë muajve të verës është afër një milion, kurse pritjet reale janë se ky numër do të shumëfishohet gjatë gjithë vitit pa harruar këtu edhe qarkullimin e vendeve të regjionit dhe të pjesës tjetër të Evropës.
Distanca kohore Prishtinë-Tiranë, apo Durrës do të jetë së paku dy herë më e shkurtër nga ajo që ishte. Pikërisht këto avantazhe ekonomike dhe sociale i japin vendit dimensionin që ajo e ka merituar prej vitesh, dekadash apo ndoshta edhe prej shekujsh.
Dita kur zyrtarisht do të fillojnë punimet autostradën Morinë-Prishtinë- Merdare erdhi. Festave të shumta në Kosovë po i shtohet edhe një. Mbase do të kemi edhe shumë krijime artistike të llojit “Autostrada vija-vija...”
(Autori ka përfunduar studimet për master në menaxhment internacional)


