Rita Behadini në PodGo - flet për sfidat e shëndetit mendor, aktivizmin e saj dhe pozitën e gruas në shoqërinë shqiptare

Aktivistja dhe gazetarja Rita Behadini është e ftuara e radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilën kemi diskutuar për tema të ndryshme.
Ajo foli për sfidat e saj në shëndetin mendor, ndërsa theksoi se në fillim nuk e ka ditur si të definojë problemet e saj.
"Në fillim nuk dija si ta definoja, kisha shpërqendrime gjatë ditës, zgjohesha natën me rrahje të shpeshta të zemrës dhe fillova të shqetësohem. U drejtova te psikologët dhe më pas edhe në psikiatër. Për nëntë muaj kam qenë me terapi", theksoi Rita Behadini, duke shtuar se ka pasur përkrahje nga familja.
Në lidhje me angazhimin e saj për barazi gjinore, ajo tha se do të vazhdojë aktivizmin, ndërsa në emision tha se shoqëria jonë është mësuar me patriarkalizëm.
"Nëse krahasojmë jetën e gjyshes sime, pozita e gruas ka ndryshim drastik. Nëse analizojmë Tetovën, para 5 viteve lokalet nuk kanë pasur kamariere vajza, ndërsa sot të gjitha lokalet kanë vajza. Pozita e gruas ndryshon çdo herë. Por, sërish je jemi pas Evropës dhe shteteve të zhvilluara. Ka probleme për të cilat ne nuk flasim në asnjë moment. Problemi i trashëgimisë për shembull. Problemet gjinore janë probleme zinxhirë", tha Rita Behadini.
Në lidhje me pozitën e grave në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ajo tha se kanë pasur rrethana të ndryshme, duke shtuar se "patriarkatin e kanë të përbashkët".
"Gratë në Kosovë për shkak të luftës, është dashur të mësohen të mbijetojnë. Gratë në Maqedoni kanë ngelur pak më të shtypura, nuk e di për çfarë arsye. Tek ne ende është problem çështja e identitetit, ne ende luftojmë për gjuhën. Nuk kemi kohë të kalojmë tek çështjet tjera. Rrethanat në të cilat kanë vepruar gratë në Kosovë dhe Maqedoni, i kanë bërë të ndryshme, por patriarkatin e kemi të përbashkët", tha Rita Behadini.
Ajo tregoi se në projektet e saj më së shumti bashkëpunon me Bashkimin Evropian dhe ambasadat e vendeve ndërkombëtare.
Sa i përket të ardhmes, ajo tha se e sheh veten në televizion, ndërsa nuk e përjashtoi mundësinë që të kyçet edhe në politikë./Telegrafi/




















































