Please enter at least 3 characters.

Arsenali nis bisedimet e para për transferimin e yllit francez që kushton 80 milionë euro

Një pjesë e rëndësishme e lajmeve për transferimet e Arsenalit doli gjatë barazimit 1-1 të “Topçinjve” kundër Bayer Leverkusen në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-tës në Ligën e Kampionëve të mërkurën mbrëma.

Arsenali u shortua kundër skuadrës gjermane në raundin e parë me eliminim direkt pasi e përfundoi fazën e ligës në vendin e parë me një rekord perfekt prej 24 pikësh nga tetë ndeshje.

Por skuadra e Mikel Arteta nuk arriti të fitonte në Ligën e Kampionëve për herë të parë këtë sezon, duke marrë vetëm një barazim në stadiumin ‘BayArena’.

Sipas një raporti nga L'Equipe në Francë, Arsenali ka hapur bisedime paraprake për një transferim veror të mbrojtësit qendror të Leipzigut, Castello Lukeba.

23-vjeçari është te Leipzig prej tre sezonesh, pasi u transferua nga Lyoni në vitin 2023 dhe ka zhvilluar 95 ndeshje gjatë kësaj periudhe.

Edhe pse ka kontratë deri në vitin 2029, thuhet se Lukeba është i gatshëm të largohet gjatë verës dhe ka shumë klube të interesuara për të.

Arsenali është në krye të listës së interesimit, së bashku me disa klube të tjera angleze dhe thuhet se e kanë vëzhguar atë në barazimin 2-2 kundër Borussia Dortmund në muajin shkurt.

Bisedimet kanë nisur, megjithatë ende nuk ka një ofertë zyrtare apo propozim kontrate në tryezë. Një shumë prej rreth 59 milionë euro është përmendur për Lukeban, një mbrojtës qendror me këmbë të majtë që më parë është lidhur edhe me një kalim te Bayern Munich.

Ndërkohë, Florian Plettenberg i Sky Deutschland thotë se Lukeba ka një klauzolë lirimi prej rreth 80 milionë euro në kontratën e tij dhe se një transferim te Bayern është jorealist për shkak të kësaj shume./Telegrafi/