Arrestohen dy persona të kërkuar me urdhëresë gjykate në Ferizaj
Policia e Kosovës sot në dy raste të ndara ka arrestuar dy persona të kërkuar me urdhëresa gjyqësore.
Sipas një njoftimi për media thuhet se rreth orës 02:00, në rrugën magjistrale në fshatin Prelez, patrulla e trafikut ka ndaluar personin me inicialet B.S. (48 vjeç), i cili ishte në kërkim me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjilan për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
“Ai ishte i dënuar me gjobë prej 1600 euro ose 80 ditë burgim. Pas njoftimit të stacionit policor në Viti, ai është dërguar në vuajtje të dënimit. Ndërsa rreth orës 03:30, në pikën kufitare Hani Elezit, është ndaluar personi me inicialet E.H. (31 vjeç), i cili ishte në kërkim me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj. Ai ishte i dënuar me 18 muaj burgim për veprën penale ‘Kanosje’ “.
Ndërkaq, pas arrestimit dhe kompletimit të procedurave është dërguar në vuajtje të dënimit. /Telegrafi/


