Please enter at least 3 characters.

Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj ish-zyrtarit të AKI-së të dënuar me 2 vjet burgim për korrupsion

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj ish-zyrtarit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Muhamet Krasniqi i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 2 vite burgim për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërkaq ishte liruar nga akuza për “Zbulim të informacioneve të klasifikuara dhe mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”, raporton “Betimi për Drejtësi“..

Gjetjet e Gjykatës së Apelit:

Sipas vendimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i konsideron të vërtetuara apo të pavërtetuara.

Apeli gjen se ka kundërthënie për faktet vendimtare ndërmjet asaj që paraqitet në arsyetim lidhur me përmbajtjen e shkresave të lëndës ose të procesverbaleve për deklarimet e dhëna në procedurë.

Sipas Apelit, shkalla e parë është dashur të vlerësojë saktësinë e provave kundërthënëse dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjedhjes së çështjes juridike- veçanërisht me rastin e vlerësimit të përgjegjësisë penale të të akuzuarit.

Në vendimin e shkallës së dytë thuhet se nga përmbajtja e arsyetimit të Themelores rezulton se nuk është bërë analizë e mjaftueshme dhe në mënyrë të qartë as dispozitivi i aktgjykimit për pjesën dënuese ndaj të akuzuarit, me të cilin është shpallur fajtor për veprën penale.

Më tej, sipas Apelit, Themelorja nuk ka arritur që në arsyetim të aktgjykimit të paraqesë arsye të qarta dhe të mjaftueshme për gjendjen faktike të vërtetuar, e që rezulton se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të procedurës penale.

Në vazhdim të vendimit, Apelit thekson se duhet të vlerësohen provat një nga një dhe në ndërlidhje më provat tjera, e jo duke bërë kopjimin e dëshmive nga procesverbali i shqyrtimit gjyqësor.

Në rekomandimet e vendimit të Apelit thuhet se shkalla e parë duhet të administrojë provat si ato personale dhe materiale dhe të bëjë më pastaj vlerësimin dhe ndërlidhjen e tyre mes vete dhe tek më pas të nxjerrë një vendim të drejtë dhe ligjshëm.

Ndryshe, shqyrtimi i dytë për këtë rast ishte mbajtur në kundërshtim me ligjin, pasi që gjykatësi Foniqi kishte zhvilluar seancën në mungesë të të akuzuarit Krasniqi.

Ndërkaq, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 10 mars 2022, i akuzuari Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë sipas aktit akuzues.

Në kundërshtim të provave, të akuzuarit i janë hequr veprat penale “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, “Hyrja në sistemet kompjutrike” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 23 shkurt 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Muhamed Krasniqi, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Zbulim i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”.

Sipas pikës së parë të aktit akuzues, i akuzuari Krasniqi, më 17 shtator 2020, 25 gusht 2020 dhe 11 mars 2021, në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe në kundërshtim me ligjin, si person zyrtar në cilësinë e zyrtarit të AKI-së, akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij.

Aktakuza thotë se pa autorizim ka ndërhyrë në sistemin kompjuterik të AKI-së, duke instaluar në mënyrë të paautorizuar programin për monitorimin e kompjuterëve të tjerë “Net Monitor for Employees Pro”, nga i cili program janë infektuar 55 kompjuterë të tjerë brenda selisë qendrore të AKI-së, si dhe ka instaluar file-n e programit të softuerit “Veyon”, ku ka shkelur të drejtat e punonjësve të tjerë, duke krijuar qasje të paautorizuar në përmbajtjen e të dhënave që zyrtarët kanë pasur në posedim, si dhe duke keqpërdorur autorizimet e veta si administrator i sistemit kompjuterik (username dhe paswordat), të cilat i ka pasur autorizim t’i përdorë për qëllime zyrtare, po ashtu ka krijuar qasje të paautorizuar në dokumentacionin e klasifikuar dhe ka mundësuar marrjen e dokumenteve dhe informacioneve nga përdoruesit e kompjuterit.

Me këtë, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3, pika 3.1. dhe 3.4. të KRPK-së.

Tutje, në pikën e dytë të aktakuzës, Krasniqi akuzohej se duke përdorur programin “Net Monitor for Employees Pro”, dhe file-n e programit të softuerit “Veyon” , të cilat janë dokumentuar që janë instaluar në kompjuterët që ai ka përdorur në rrjetin e AKI-së, ka krijuar qasje në kompjuterë të punonjësve dhe eprorëve brenda rrjetit të komunikimit të AKI-së, nga i cili ka pasur qasje të sheh aktivitetin e secilit kompjuter të infektuar, marrjen e fajllave, marrjen e fjalëkalimeve, video-regjistrimin e aktivitetit të përdorueseve, po ashtu akuzohet se ka arritur të hyjë në fajllat e inspektorit të përgjithshëm, përgjimit të prodhuar nga AKI-ja, listën e pagave të punonjësve, dokumenteve operative të ndryshme, dhe fotografi të paautorizuar të punonjësve.

E që me këtë, Krasniqi akuzohej për veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 416, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Kurse, sipas pikës së tretë të aktit akuzues, Krasniqi duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka instaluar softuerët “Net Monitor for Employees Pro”, dhe file-n e programit të softuerit “Veyon”, në rrjetin e brendshëm të komunikimit të AKI-së, përmes dy kompjuterëve të tij dhe ka krijuar qasje në 55 kompjuterë të punonjësve të tjerë përmes “Agjentëve të programit”, nga ku akuzohet se ka mundur të marrë informacion duke hyrë në sistemet kompjuterike të punonjësve të AKI-së, si dhe ka pasur të instaluar softuerin “Net Monitor for Employees Pro”, në rrjetin e internetit të AKI-së, të njëjtit softuer ka të instaluar edhe në kompjuterin e tij personal.

Me këtë, Krasniqi akuzohej se ka kryer veprën penale “Hyrja në sistemet kompjuterike” nga neni 327, paragrafi 1 të KPRK-së.

Po ashtu, Krasniqi, sipas pikës katër të aktit akuzues, duke pasur qasje në dokumente të klasifikuara të njësive të AKI-së, e të cilat janë gjetur në kompjuterin e tij në objektin e AKI-së dhe kompjuterin në shtëpinë e ti, gjurmë të fajllave të dokumenteve si: lista e pagave të punonjësve të AKI-së, gjurmë të dokumenteve të klasifikuara të njësive të AKI-së, me nivel sekret dhe tepër sekret, dokumente të inspektorit të përgjithshëm dhe të njëjta fajlle, akuzohet se i ka kopjuar dhe ruajtur ato dokumente të klasifikuara, të cilat nuk është dashur të nxjerren jashtë ambienteve të AKI-së, dhe akuzohet se iu ka dhënë informata grupit kriminal si: Agim Krasniqi, Aqif Krasniqi dhe Arif Krasniqi, që kanë qenë duke u hetuar nga policia për shkak të dyshimit për vepra penale.

Për këtë, Krasniqi akuzohet për veprën penale “Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” nga neni 125 të KPRK-së, lidhur me nenin 50, paragrafi 3 të Ligjit nr.03/L-178 për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.

Ndërsa, sipas pikës pesë të aktakuzës, Krasniqi akuzohej se duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe duke keqpërdorë informatat që ka pasur rreth sistemit të video-monitorimit të objekteve të AKI-së, i njëjti akuzohet se është futur në sistemin e video-monitorimit e ka bërë fotografimin e paautorizuar e së paku dy zyrtareve brenda objekteve të AKI-së.

Për këtë, Krasniqi akuzohej se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara” nga neni 202, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi