Please enter at least 3 characters.

Ambasadori gjerman shkruan për 100 ditët në Kosovë: Ngrohtësia e njerëzve e bën vendin të veçantë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka ndarë përshtypjet e tij për 100 ditët e para të qëndrimit në Kosovë, duke veçuar ngrohtësinë e jashtëzakonshme të mikpritjes që ka ndjerë gjatë vizitave në vende të ndryshme të vendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rudolph theksoi se që nga ardhja e tij në Prishtinë është pritur me mirësi, hapje dhe buzëqeshje të sinqerta, një përvojë që, sipas tij, e ka shoqëruar kudo që ka udhëtuar në Kosovë.

Ai tregoi se kurioziteti për ta njohur vendin përtej kryeqytetit e ka çuar në ecje në malet pranë Brodit, vizita në qytetin e vjetër të Prizrenit, në manastirin e Deçanit, si dhe udhëtime në veri të Kosovës.

“Kudo që kam qenë, përvoja ka qenë e njëjtë: njerëz mikpritës, biseda kuptimplote dhe një ndjenjë e thellë lidhjeje me Gjermaninë,” ka deklaruar ambasadori gjerman.

Rudolph vlerësoi gjithashtu bukurinë natyrore të Kosovës, duke theksuar se ajo është e pranishme edhe në jetën e përditshme. Sipas tij, bukuria e vendit nuk kërkon udhëtime të gjata, por fillon që në pragun e shtëpisë, gjatë vrapimeve të fundjavës në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Në përfundim, ambasadori shprehu entuziazmin për vazhdimin e misionit të tij diplomatik në Kosovë, duke theksuar se pret me padurim shumë ditë të tjera të bukura në vend./Telegrafi/