Please enter at least 3 characters.

Ambasada Britanike reagon pas vendimit të PZAP për Listën Serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili nuk kishte shpallur rezultatet përfundimtare për këtë subjekt politik në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Në vendimin e tij, PZAP thekson se nuk pajtohet me vendimin e KQZ-së dhe ka urdhëruar shpalljen e rezultatit përfundimtar për Listën Serbe dhe kandidatët e saj.

Në reagim lidhur me këtë vendim, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka vlerësuar se vendimi i Panelit riafirmon të drejtën e komuniteteve jo-shumicë dhe të gjitha subjekteve politike për të marrë pjesë plotësisht në procesin demokratik, siç garantohet nga Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës.

“Ne presim që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t’u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur,” thuhet në deklaratën e ambasadës.

Tutje, ambasada britanike ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar mbështet proceset zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë, duke inkurajuar institucionet dhe aktorët politikë të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të mbështesin integritetin e kornizës zgjedhore.

“Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit midis të gjitha komuniteteve,” përfundon reagimi.

Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë kanë abstenuar.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse./Telegrafi.