Please enter at least 3 characters.

Allahile, o Bajram Rexhepi?!

Rexhepi, para se të vijë herën tjetër në Shkup për t’i shpallur për kriminelë bashkëkombësit e tij dhe për t’i hedhur ata në zjarr, së pari duhet t’i zbardh aferat korruptive në partinë e tij dhe në Qeverinë e Kosovës dhe pastaj të shkojë në Mitrovicën e Veriut për t’u ballafaquar me strukturat kriminale serbe, ashtu siç shumë-herë ka deklaruar derisa ka qenë kryetar i kësaj komune

Me shqetësim pranova lajmin se në Radushë po zhvillohej një aksion policor. Zoti hair – mërmërita ndër vete, megjithëse thellë parandieja se hair nuk do të dalë. Vranësirat mbi Strasburg edhe më tepër ma prishën disponimin dhe e gjithë paraditja më shkoi duke mos qenë prezent aty ku isha. Më vonë kuptova se katër shqiptarë ishin të vrarë dhe dy të arrestuar. Sakaq më fluturoi nëpër mend se rasti, sikur edhe shumë të tjerë kundër shqiptarëve, ishte edhe një skenar i parapërgatitur mirë.

Një ditë pas incidentit, arrita në Shkup. Dielli përzhiste dhe një ajër i nxehtë më godiste në fytyrë. Një ndjenjë e keqe vazhdonte të ma mbajë peng shpirtin. Më dukej sikur gjithçka nuk ishte në rregull, mbase, për shkak të mendimeve të këqija që më lodhën gjatë gjithë udhës. Nuk shkoi gjatë dhe ma kumtuan lajmin se në mesin e të vrarëve ishte edhe lideri politik, Harun Aliu, i njohur edhe si komandant “Kushtrimi”. Pa kaluar një a dy, u nisa drejt shtëpisë së tij për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Të premten, një ditë e re, me ftesë të dërguar nga krye-policja maqedonase, në vizitë zyrtare erdhi ministri i punëve të brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi – një burrë me flokë të thinjura, në moshë diku rreth 55 vjeç, i njohur si kryeministër paslufte i Kosovës dhe së fundmi kryetar i Mitrovicës. Na kishte ardhur me vrap për të komentuar incidentin e Radushës dhe të aksioneve të tjera policore nëpër fshatrat shqiptare. Pasi ishte furnizuar mirë me informatat operative të homologes së tij, Jankullovska, për 70 shqiptarë, siç i quan ajo, kriminelë, doli para mediave me fjalor që, çuditërisht dukshëm ishte ndikuar nga vreri maqedonas dhe disponimi antishqiptar i institucioneve të Maqedonisë.

Në paraqitjen e tij, disa nga ngjarjet e ditëve të kaluara Rexhepi pa ngurrim i quajti “aktivitete kriminale”, ndërsa njerëzit që gjetën vdekjen i kualifikoi si grupe kriminale. Nuk kam pritur, e pranoj, se Rexhepi në emër të shtetit të Kosovës, do të flet në atë mënyrë për këta shqiptarë të dëshmuar edhe në luftë edhe në paqe, para se gjithash, si njerëz të ndershëm dhe fisnik, por edhe si njerëz me merita lufte dhe me kontribut të çmueshëm në zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni.

Ministri kosovar, me naivitet, mbase edhe me servilitet puthadorësh, u paska besuar institucioneve të Maqedonisë për të cilat, përveç atij mesa duket, të gjithë shqiptarët tjerë e dinë se në vazhdimësi kanë zhvilluar fushata propaganduese, kanë fabrikuar dhe kanë krijuar terroristë, ekstremistë dhe kriminelë, duke i dënuar dhe duke i shpallur fajtorë shqiptarët për vepra që nuk i kanë bërë. Nuk qenka në dijeni ministri Rexhepi se pikërisht këto institucione që ia kanë dhënë atij listën me “kriminelë” janë ato që kanë krijuar rastin e “Sopotit” (për të cilin edhe ish-ambasadori i NATO, Bigman, deklaroi se është proces i montuar), dhe kanë vrarë dhe futur me qindra shqiptarë të pafajshëm nëpër burgjet e Maqedonisë.

Numri një i policisë së Kosovës, me vizitën në Shkup dhe me fjalorin e tij, që ishte identik me atë të koleges së tij maqedonase, ka legjitimuar aksionin policor të një ditë më parë, ku u vra Harun Aliu dhe tre luftëtarë të tjerë, dhe ka inkurajuar pushtetin represiv për realizimin edhe të aksioneve të tjera kundër shqiptarëve. Rexhepi, para se të vijë herën tjetër në Shkup për t’i shpallur për kriminelë bashkëkombësit e tij dhe për t’i hedhur ata në zjarr, së pari duhet t’i zbardh aferat korruptive në partinë e tij dhe në Qeverinë e Kosovës dhe pastaj të shkojë në Mitrovicën e Veriut për t’u ballafaquar me strukturat kriminale serbe ashtu siç shumë-herë ka deklaruar derisa ka qenë kryetar i kësaj komune. E kur t’i kryen këto punë, atëherë mund të vijë në Shkup, por jo për të celebruar dhe legjitimuar vrasjet e shqiptarëve, por për të protestuar kundër sjelljes së institucioneve të Maqedonisë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe burgosjes së tyre, si në rastin e biznesmenit nga Prishtina për gjoja vjedhjen e një banke.

Kur Rexhepi do t’i mbarojë detyrat e shtëpisë, mund të vijë tek Jankullovska për të protestuar kundër shënimit të Kosovës si Serbi, në dokumentet personale dhe në dokumentet e Entit për Statistikë, por edhe të detyrojë atë për të ngritur hetim ndaj dyshimeve që i ngriti Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës për ekzistimin e varreve masive në afërsi të kufirit të Bllacës, dhe jo të heshtë, vetëm pse iniciativa është ngritur nga Skënder Hyseni, që vjen nga radhet e LDK-së.

Shpresoj që Rexhepi të mos vijë më për mort, sepse kësaj radhe u korit nga mos-dija se, ashtu siç latinët e kishin lënë amanet, për të vdekurit nuk duhet të thuhen fjalë të këqija, derisa për të gjallët duhet të thuhet vetëm e vërteta. Fjalët e Rexhepit nuk ofenduan vetëm familjarët e të dëshmorëve të rënë në Radushë, por edhe mbi 10 mijë veta që morën pjesë në ceremoninë mortore të Komandant “Kushtrimit”. Unë jam njëri prej tyre