Please enter at least 3 characters.

Alban Skënderaj – në përpjekje për të çarë tregun ndërkombëtar

2016/01/f.0526162659742_m.jpg

Alban, vjen në tregun muzikor me një klip të ri, të titulluar “Larg dhe afër”… Si lindi ideja për klipin?

Albani: Kënga është bërë kohë më përpara dhe tani vendosa t‘i bëja një klip. Është kompozuar gati dy vjet më parë dhe e rimora nga arkivi për ta përpunuar. Klipi ishte një domosdoshmëri, në mënyrë që kënga të lansohet sa më mirë. Pastaj, kështu jepet akoma më qartë mesazhi i këngës.

Ka lidhje afrimi i sezonit veror me hedhjen në treg të këtij klipi?

Albani: Absolutisht jo, sepse kjo s‘është një këngë komerciale, por një këngë që e kam bërë për qejf dhe për të treguar një anë tjetër timen. Është një këngë rrok, me temë sociale kështu që s‘mund të ketë lidhje me sezonin veror. Sepse përgjithësisht artistët nxjerrin klipe në verë që të kenë më tepër koncerte dhe ftesa për të kënduar në klube nate gjatë sezonit të plazhit. Po unë s‘kam punuar kurrë me kaq kujdes dhe përllogaritje në këtë drejtim… E kam bërë diçka kur e kam ndjerë dhe njerëzit kur e pëlqejnë një muzikë, e dëgjojnë ato dhe në verë, edhe në dimër. Këtë gjë mendoj se duhet ta bëjnë të gjithë artistët, pra, të këndojnë për kënaqësi dhe mos të priren shumë drejt llogarive materiale. Natyrisht, sezoni i verës është i favorshëm për prodhimet muzikore, jo vetëm sepse në këtë periudhë konsumohet shumë muzikë, por dhe sepse vijnë emigrantët nga jashtë dhe albumet shiten. Po më tepër se sa fitimet, do doja që albumin ta kishin sa më shumë njerëz ndaj më vjen mirë që lan ndaj më vjen mirë që lansimi i klipit koincidoi me sezonin veror.

“Eklipsi” ishte një klip që ia kishe premtuar vetes… Ka ndonjë të përbashkët mes tij e “Larg dhe afër”?

Albani: Absolutisht, nuk kanë shumë lidhje mes tyre, përveçse ngjasojnë për nga skenari, në kuptimin që secili prej klipeve ka një fabul, një ngjarje, një mesazh, një histori… Kurse për sa i përket temës dhe mesazheve, ato janë krejt të ndryshme. Tek “Eklipsi” del në pah aftësia e Albanit për të dashuruar, për t`u apasionuar ndaj një raporti, ndaj një dashurie, ndaj diçkaje të përjetuar, kurse në klipin e ri shihet një tjetër Alban… Disi më rebel, kritik ndaj disa gjërave që na rrethojnë.

Në një moment, në këngë zgjohesh i trembur dhe në anën tjetër të krevatit dora të zë një vend bosh… Çfarë ndjen në jetën reale, në një çast të tillë?

Albani: Diçka të tillë edhe e kam përjetuar, se nuk e kemi gjithmonë pranë në momentet konfuze njeriun që duam. S‘është kurrë një ndjenjë e mirë, sepse duhet të kesh gjithmonë dikë pranë. Po të tilla përjetime gjithsesi na bëjnë të rritemi, kështu që vlejnë edhe ato.

Të bën përshtypje bumi i videoklipeve dhe këngëtarëve në treg… Çfarë mendon për këtë fenomen?

Albani: Është tepruar në këtë drejtim. Aktualisht muzika shqiptare po përjeton një kaos që kurrë s‘e ka provuar. Vitet e fundit ky fenomen është goxha interesant, një faktor që të bën përshtypje. Mendoj se sikur analistë të shquar botëror të analizonin këtë situatë, ajo do merrte përmasa edhe më të mëdha sepse është një realitet i habitshëm. Gjithmonë kupa duhet të mbushet që të derdhet dhe së shpejti këtu në Shqipëri do të ketë një revolucion. Deri në momentin e fundit, gjërat lirohen por kur kalohet masa, vjen reagimi dhe kështu ka për të ndodhur edhe kësaj here.

Të dhemb ky realitet, ty si artist?

Albani: Sigurisht, sepse do doja që muzika shqiptare të kishte më tepër stabilitet, të kishte një strukturë. Minimalisht të ishim në nivelin zero në muzikë, po ne s‘kemi as një strukturë, qoftë ajo dhe primitive. Dhe Kazakistani apo Afganistani e kanë një strukturë të tillë, kurse neve jo.

Mendon se pseudokëngëtarët u prishin punë artistëve të vërtetë?

Albani: Jo! Mendoj se artistët e dashur mbeten të tillë për publikun, po problemi është se njerëzit fatkeqësisht janë të prirë për muzikë jo cilësore. Për sa i përket tregut, është një kaos total… Dalin klipe apo këngë që i sheh apo i dëgjon një herë dhe pastaj zhduken nga qarkullimi. Zgjidhja duhet të vijë nga shteti, që duhet të krijojë një rregullator. Do vijë një moment kur shteti, pasi të ketë mbaruar punë me dritat, rrugët dhe ujin do hedhë sytë nga muzika, pasi do ta shoh se dhe aty çalon puna.

Në Serbi po zhvillohet Festivali Evropian… Mendon se kënga e RTSH-së është më e përshtatshmja për të na përfaqësuar atje?

Albani: Mendoj që nuk është festivali i RTSH-së struktura perfekte, e duhur për të bërë një seleksionim për në Eurosong, për një fakt që më duket i pakundërshtueshëm… Artistikisht, kërkesat, standardet dhe mentaliteti i festivalit tonë tradicional nuk përputhet askund me natyrën dhe frymën e Eurovizionit. Festivali i RTSH-së është më tepër për muzikën tradicionale, të lehtë por në festivalin evropian duhen krijime moderne, që t‘i përshtaten garës dhe stilit të këtij festivali. Problemi nuk është se këngët janë të lehta, po duke qenë se ne jemi një popull shumë properëndimor, do ishte mirë që edhe këngët që çojmë në Eurosong të ketë frymë perëndimore. Evropianët zhvillohen vazhdimisht, sjellin krijime alternative me nuanca gjithmonë e më moderne. Festivali shumë bukur që e ruan traditën e tij, origjinalitetin por këngët që na përfaqësojnë në Eurovizion duhet të jenë më inovative, moderne. Fakti që kënga arriti në finale, vërteton fjalët e mia.

Si i ke raportet me shtypin e thashethemeve dhe atë rozë?

Albani: As nuk kam fare marrëdhënie! Në sensin, s‘kam marrëdhënie direkte, që të flas lart e poshtë apo të jap intervista, megjithatë mediat shkruajnë dhe flasin për mua dhe kjo s‘është në dorën time.

Është folur shumë në media pikërisht për një lidhje mes teje dhe këngëtares Miriam Cani… Çfarë ka mes ju të dyve?

Albani: Mund të them gjithçka për këtë gjë, ose mund të mos them asgjë. Hahahaha. Për këtë gjë nuk do doja të flisja shumë, është jeta ime private.

Vazhdojnë përpjekjet tuaja në Gjermani për të çarë dhe në tregun muzikor atje?

Albani: Puna në Gjermani vazhdon, kam pasur dhe një projekt me Miriamin… Kemi bashkëpunuar për një singëll dhe presim të firmosim një kontratë me një shtëpi diskografike prestigjioze për ta lansuar dhe publikuar këtë këngë. Kënga është në anglisht, sepse është e destinuar për tregun muzikor ndërkombëtar. Ndërkohë, kam punuar edhe vetë për këngë të tjera me një studio me të cilën ka bashkëpunuar prej kohësh Miriami. Nga kjo lidhje profesionale gjërat shkuan deri aty sa dhe albumin e realizova me këtë studio. Kam dhe një projekt solo, për një album në anglisht.

Mund të themi se tashmë tregu ndërkombëtar është afër?

Albani: Jo, sinqerisht, ndihem akoma shumë larg tregut muzikor ndërkombëtar. Por jam shumë i lumtur që kam përjetuar disa eksperienca dhe jam njohur edhe me atë që ndodh në një treg muzikor perëndimor. Kam parë sa ndryshe është puna andej, qoftë artistikisht, qoftë dhe teknikisht apo në aspektin e menaxhimit. Atje gjithçka është tejet profesionale dhe kjo e bën të vështirë të arrish majat e suksesit. Duhet shumë punë! Duhet të të jepet në mundësi e artë të cilën ta shfrytëzosh… Pra, përveç talentit dhe punës, jashtë të duhet edhe pak fat. Në Gjermani i ruaj akoma kontaktet për të bashkëpunuar, kështu që përpjekja për të çarë në tregun muzikor botëror vazhdon. /panoramaplus/