Aktori shqiptar Ridvan Murati në qendër të vëmendjes në çmimet më të mëdha zvicerane të filmit, "Heldin" merr tri nominime të rëndësishme
Aktori i njohur shqiptar, Ridvan Murati, i cili prej vitesh ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në hapësirën gjermanofolëse, ka marrë së fundmi pjesë në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinematografisë zvicerane – nominimet për “Schweizer Filmpreis”.
“Schweizer Filmpreis” konsiderohet mbrëmja më prestigjioze e ndarjes së çmimeve në Zvicër, ku nderohen filmat, aktorët dhe krijuesit më të spikatur të vitit. Prania e Muratit në këtë event u shoqërua me vëmendje të veçantë, sidomos për shkak të suksesit të filmit “Heldin”, ku ai është pjesë e kastit.
Filmi në fjalë ka arritur të sigurojë plot tri nominime të rëndësishme në këtë edicion të çmimeve, duke u nominuar për Filmin më të mirë artistik, Skenarin më të mirë dhe Zërin më të mirë. Këto nominime e konfirmojnë edhe një herë suksesin dhe vlerësimin profesional që “Heldin” ka marrë në qarqet kinematografike zvicerane.
Mbetet të shihet nëse filmi do të arrijë të kurorëzohet me ndonjë nga këto çmime në ceremoninë që do të mbahet në mars, por fakti që është nominuar në kategori kaq të rëndësishme përbën një arritje të madhe për të gjithë ekipin realizues, përfshirë edhe aktorin shqiptar Ridvan Murati.
Vlen të theksohet se “Heldin” ishte gjithashtu propozimi zyrtar i Zvicrës për garën e “Oscars 2026”, një tjetër dëshmi e peshës dhe cilësisë artistike të këtij projekti filmik. /Telegrafi/


