Akademia Ushtarake e Kosovës merr pjesë në aktivitetin ndërkombëtar në Shkollën e Oficerëve të Gjermanisë
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se një ekip nga Akademia Ushtarake, përkatësisht nga Qendra për Studime Universitare (QSU), ka marrë pjesë në Javën Ndërkombëtare të Akademive Ushtarake, e cila u zhvillua në Shkollën e Oficerëve në Gjermani.
Sipas njoftimit të FSK-së, kjo pjesëmarrje është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit me Republikën Federale të Gjermanisë.
Gjatë aktivitetit, ekipi i Akademisë Ushtarake të Kosovës pati mundësinë të vizitojë qytetin e Dresdenit, të njihet me mënyrën e shkollimit të oficerëve gjermanë dhe të vizitojë qendrat e trajnimit të ushtrisë gjermane.
“Forca e Sigurisë përfaqësoi QSU-në duke prezantuar historinë dhe zhvillimin e arsimimit ushtarak në Kosovë, si dhe duke shkëmbyer përvoja me kadetët e shteteve të tjera,” thuhet në njoftim.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar synon forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe rritjen e përvojës profesionale të kadetëve dhe oficerëve të FSK-së.


